E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aksi i Koplikut” arrestohen tetë vetë për vjedhje

SHKODËR- Rritja e ndjeshme e numrit të vjedhjeve në qarkun e Shkodrës ka bërë që policia të shtojë forcën goditëse ndaj këtij krimi. Si rezultat, 8 persona të dyshuar për vjedhje të ndryshme, të kryera në bashkëpunim, janë ndaluar nga policia në Malësi të Madhe dhe Shkodër. Operacioni i koduar “Aksi i Koplikut”, ka prangosur shtetasit: Elmedin H., 16 vjeç, banues në fshatin Repisht, Komuna Shkrel, rrethi Malësi e Madhe, për të cilin ishte bërë shpallja në kërkim, për veprën penale të “Vjedhje e mbetur në Tentativë” e Bankës Popullore në lagjen “Vasil Shanto”, të qytetit Shkodër; Urim Rrukaj 18 vjeç, Vladimir B. Shpellzaj 22 vjeç, Kujtim B. Shpellzaj 32 vjeç, Indrit Hoti 24 vjeç, të gjithë nga Malësia e Madhe. Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin në kohë e vende të ndryshme kanë kryer disa vjedhje. Kështu, më 4 shkurt të këtij viti, kanë vjedhur një dyqan në qytetin e Koplikut, rrethi Malësi e Madhe, një ditë më pas, kanë tentuar të vjedhin një filial të Bankës Popullore në lagjen “Vasil Shanto”, të qytetit Shkodër, më datë 6 shkurt kanë vjedhur një market në qytetin e Koplikut, rrethi Malësi e Madhe. Gjithashtu, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, këta shtetas kanë organizuar vjedhjen e kasafortës së një dyqani me “Lëndë Ndërtimi” në Koplik, rrethi Malësi e Madhe, vjedhje kjo e mbetur në tentativë. Sipas policisë është bërë dokumentimi ligjor i këtyre ngjarjeve, ndërsa po punohet për të zbardhur dhe vjedhje të tjera, të kryera në këtë zonë. Po në kuadër të këtij operacioni policor, janë ndaluar dhe tre persona nga Shkodra, edhe këta të dyshuar për vjedhje në bashkëpunim. Arben Elezaj, 41 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dobraç, të rrethit Shkodër, Besnik Kermishta 42 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër dhe Arben Martaneshi 33 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Liria” të qytetit Shkodër, janë kapur në flagrance nga shërbimet policore, me 4 (katër) thasë misër, duke i transportuar me motoçikleta, të cilat i kishin vjedhur në pularinë në pronësi të shtetasit E. Gj., në fshatin Dobraç, ku shtetasi Arben Elezaj ishte i punësuar si roje objekti. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan thasët me misër, si dhe dy motoçikletat me të cilat po bënin transportin. Për të tetë shtetasit e ndaluar, akuza e ngritur është ajo e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›