E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja projektet për të mos u përsëritur më përmbytjet në Shkodër

Shkodër- Rehabilitimi i argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet e dhjetorit të vitit të kaluar është prioritet për vitin 2011, ndërsa janë 16 projekte të përfunduara që lidhen me stabilizimin e ujërave në zonën e Nënshkodrës. Pas një periudhe me reshje dhe prurje nga më të ndryshmet, përmes alpeve, shkarkimeve nga hidrocentralet dhe daljen e lumenjve, rajoni i Shkodrës paraqet një stabilizim të kushteve atmosferike, të cilat kanë ndihmuar në eliminimin e pasojave të përmbytjeve dhe punimeve për rehabilitimin e zonave të prekura. Sipas drejtorit të bordit të kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha, falë dhe prezencës së madhe të qeverisë shqiptare në Shkodër gjatë periudhës së përmbytjeve, janë hartuar 16 projekte, me vlerë 175 milionë lekë të reja, një pjesë e të cilave kanë përfunduar, ndërsa të tjera janë në zbatim. Janë rehabilituar problemet e shfaqura në argjinaturat e Nënshkodrës, ndërsa ndërhyrja e bërë në vitin 2010, në kanalin e Mërtemzës, ka krijuar kushte për largim të shpejtë të ujit nga zonat e përmbytura. “Aktualisht, në fushën e Velipojës, aty ku dhe shkarkohen gjithë ujërat e përmbytjeve, nuk ka prezencë uji. Përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi për të vazhduar punimet në argjinaturën e Çasit në Velipojë, ku janë dhënë 130 milionë lekë për rehabilitimin e saj, ndërsa 150 milionë lekë të tjera janë dhënë si emergjencë në kohën e përmbytjes, për të mbyllur vendet ku ajo është thyer. Të gjitha këto garantojnë që kjo argjinaturë, pas rikonstruksionit të përballojë çdo lloj përmbytjeje dhe fjala përmbytje në fushën e Çasit e Luarzit nuk do të ekzistojë“, shprehet Rasha. Ai shton se punimet këtu do fillojnë këto ditë pasi gjitha procedurat kanë përfunduar. Synimi i investimeve që do bëhen në zonën e Nënshkodrës është që në të gjitha fshatrat që lidhen me lumin Buna dhe rrezikojnë përmbytjen, të ndërtohen argjinatura me parametra teknikë në lartësi e cilësi , për të përballuar përmbytjen nga sipër. Është në përfundim argjinatura e Darragjatit, 2.5 km e gjatë, dhe kjo do evitojë përmbytjen nga sipër të këtij fshati siç dhe ka ndodhur vitin e kaluar, ndërsa ardhja e ujit nga poshtë është e përballueshme. Rasha thekson se është një investim prej 12 milionë dollarë që është dhënë për fushën e Shkodrës e të Lezhës dhe prioritet kanë fshatrat ku ka objekte, pra qendra të banuara. Argjinatura e Dajçit, nga Shirqi në Pentar do jetë 13 km e gjatë. Të gjitha këto janë në tre faza, ku sipas Rashës, e para përfshin rikonstruksionin e ndërhyrjet riparuese në zonat e banuara si në Dajç, Shirq, Samërisht, Rrushkull, ku pati thyerje argjinaturash dhe përmbytje të këtyre fshatrave nga sipër. Ndërhyrja rikonstruktuese parashikon ndërtimin me parametra teknikë të argjinaturave të reja, me ekran betoni nga ana e ujit, me qëllim që të mos ketë përmbytje edhe sikur uji të arrijë kuota më të larta se herën e fundit. Një ndërhyrje thelbësore do jetë ajo në argjinaturën e Vilunit, e vetmja që mbron fushën e Velipojës dhe të Reçit, përfshirë dhe zonën e plazhit. D.Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›