Raporti i SHBA: Pesë shkaqet e shpërthimit të Gërdecit
Tiranë- Lirimi i katër të arrestuarve ka futur procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit në rrjedhë normale, pas një pezullimi gati dymujor. Seanca e djeshme, që është e para pas lirimit të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit, Dritan Minxollit e Sokol Ngjeçit, ka vijuar normalisht, madje deri rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, kur gjykata ka vendosur ndërprerjen e saj për shkak të përfundimit të orarit zyrtar. Për mëse gjashtë orë, dy nga katër përfaqësuesit e akuzës, të pranishëm në sallë, lexuan para gjykatës dy akt-ekspertime të hartuara nga ekspertë amerikanë dhe shqiptarë, lidhur me shkaqet e shpërthimit dhe dëmin financiar që i është shkaktuar shtetit nga parregullsitë në dokumentacion e përdorur për lidhjen e kontratave. Ekspertimi i parë, që ka marrë edhe pjesën më të madhe të kohës gjatë seancës së djeshme, ka qenë ai i hartuar nga ekspertët e ATF-së, lidhur me shkaqet që sollën tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Raporti prej rreth 5 faqesh tregon të gjitha shkaqet e shpërthimit, duke hedhur dyshime mbi një karrocë të salduar në një banesë që ndodhej rreth 45 sekonda larg vendit ku mbaheshin 37 kontenierë CONEX 12.2 metra, të mbushur me barut. Për të shpjeguar detajet e ekspertizës, që sipas avokatëve ishin të paqarta, u kërkua thirrja e ekspertëve të ATF-së për të dhënë shpjegime lidhur me terma apo çështje të caktuara të aktit të përpiluar nga amerikanët, në prill të vitit 2008. Avokatët kundërshtuan akt-ekspertimin, pasi gjatë kryerjes së tij nuk ka pasur asnjë përfaqësues nga mbrojtësit e të pandehurve dhe se ai është kryer vetëm nga amerikanët. Për të gjitha këto arsye, u kërkua pyetja e ekspertëve amerikanë, çështje kjo që nuk mori përgjigje nga gjykata, e cila urdhëroi prokurorinë të vijojë me lexim e akt-ekspertimit, sipas të cilit një nga shkaqet kryesore të shpërthimit është ai i saldimit të një karroce që ishte salduar vetëm pak çaste më parë. Megjithatë, raporti i lexuar nga prokurorët paraqet se janë ta paktën pesë shkaqe që mund të kenë sjellë shpërthimin.
Pjesë nga raporti i ATF-së
Shkaku ekzakt i zjarrit është i panjohur, megjithëse ka disa kushte të punës që mund të kenë çuar në nisjen e zjarrit, duke filluar nga thasët e lëndëve plasëse. Siç është deklaruar paraprakisht, lëndët plasëse, si baruti i zi dhe baruti pa tym me dy baza, janë shumë të ndjeshëm nga prodhimi i nxehtësisë, elektriciteti statik, fërkimi ose flaka.
Më poshtë vijon lista e burimeve më të mundshme të ndezjes, bazuar në provat e mbledhura si dhe informacioni i dëshmitarëve deri më tani:
1. Transferimi i nxehtësisë nga karroca e salduar
Deklaratat e dëshmitarëve tregojnë se karrocat e derës thyheshin vazhdimisht dhe riparoheshin me saldim. Roja i sigurimit ka deklaruar se atë ditë ishin riparuar tri karroca. Në fakt, ai deklaroi se të paktën njëra nga karrocat ishte riparuar brenda intervalit kohor prej 30 minutash para se zjarri të binte. Ekziston mundësia që kallaji në karrocë të ketë ruajtur një sasi të mjaftueshme nxehtësie për një kohë të gjatë, mjaftueshëm sa që një thes me lëndë plasëse, duke u vënë në kontakt me të, të fillojë të ndizet dhe të marrë flakë.
2. Ndezja nga kompresioni i lëndës djegëse
Deklaratat e dëshmitarëve dhe fotografitë para shpërthimit tregojnë se ekziston mundësia që në dyshemenë prej betoni të kishte lëndë plasëse të vendosur në mënyrë të çrregullt (barut i zi dhe barut pa tym). Deklaratat e dëshmitarëve dhe ekzaminimi i provave në vendngjarje konfirmon se rrotat e karrocës ishin metalike me një veshje gome, e cila shpesh çahej dhe konsumohej. Asnjë nga karrocat e marra në shqyrtim nuk dha prova të një veshjeje prej gome në rrota. Ekziston mundësia që shtyrja e karrocës metalike mbi lëndën plasëse që ishte vendosur në mënyrë të çrregullt, mund të ketë shkaktuar një nxehtësi të mjaftueshme, shok dhe fërkim sa për të ndezur barutin.
3. Kontakti metal mbi metal
Ekziston mundësia që një shkëndijë e prodhuar nga kontakti i dy karrocave, ose kontakti i një leve të veglave të tjera metalike me karrocën ose me objekte të tjera metalike, si shiritat metalikë të kutive të municioneve, mund të ketë shkaktuar djegien e lëndës plasëse.
4. Burim i hapur flake
Megjithëse kishte tabela që ndalonin duhanin dhe kishte një zonë të caktuar për të pirë duhan, asnjërit nuk i ishte kërkuar të linin çakmakët, shkrepëset apo materiale të tjera që përdoren për ndezje zjarri në portë, përpara se të hynin në fabrikë. Ekziston mundësia që dikush që ishte duke pirë duhan brenda kompleksit, të ketë qenë shkaku i zjarrit fillestar.
5. Shkarkesa elektrostatike
Elektriciteti elektrostatik mund të prodhohet nga persona që veshin rroba najlon ose sintetike. Ngarkesa elektrostatike ka energji të mjaftueshme për të ndezur lëndën plasëse. Veshja e përshtatshme për punë është 100 për qind pambuk. Lagështia prej 94 për qind deri në 100 për qind atë ditë e redukton mundësinë e ngarkesës elektrostatike.