Trafiku i heroinës, shqiptarët ortakë me bosin sicilian
Itali- Tre persona, mes të cilëve dy shqiptarë dhe një italian, u arrestuan dje për trafik ndërkombëtar droge. Nga ana tjetër dy shqiptarë të tjerë dhe një shtetas grek janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mendohet se destinacioni i tyre ka qenë shteti grek. Ata janë të gjithë në kërkim prej antidrogës së Katanias në Itali. Operacioni për arrestimin dhe shkatërrimin e kësaj organizate të trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kanabisit mbante emrin “Qielli blu”. Urdhër arrestet janë firmosur 48 orë më parë nga drejtuesja e skuadrës së antidrogës në Katania, Dorotea Katena, me kërkesë të prokurorit Mario Skavo. Të arrestuarit janë shqiptari nga Vlora Erion Mingaj, 29 vjeç, i arrestuar në zonën e Augustës, në provincën Sirakuza; dhe Matilda Nezha, 26-vjeçarja e cila është arrestuar në Katania. Ndërsa të tretit, italianit të quajtur Salvatore Niza, i është bërë i njohur urdhër arresti në qelinë e burgut, pasi ai është dënuar me burgim të përjetshëm për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në organizatë mafioze me pasojë vrasjen, rrëmbimet dhe trafikun e drogës, që disa vite më parë. Të gjithë të arrestuarit janë vënë në mbikëqyrje që prej vitit 2007, ndërsa hetimi ka zbuluar se të gjashtë të dyshuarit ishin përgjegjës për kalimin e sasive të konsiderueshme të drogës nga Shqipëria drejt Sicilisë, ndërsa kapo i të gjithë grupit ishte Salvatore Niza, i cili drejtonte nga burgu, ndërsa nga ana e palës shqiptare sigurohej mbërritja e heroinës në brigjet italiane. “Nga hetimi është vërtetuar se në harkun kohor të tre viteve kjo organizatë ka trafikuar të paktën 39 kilogramë heroinë. Gjithçka ka qenë e parashikuar deri në detaje. Transportimi i heroinës në pjesën më të madhe kryhej në bashkëpunim me anijet italiane të peshkimit që preknin edhe brigjet shqiptare. Kjo metodë ka qenë shumë efikase për organizatorët. Vitin e fundit ata paralelisht kanë angazhuar edhe disa emigrantë shqiptarë për të sjellë drogën nga Shqipëria dhe këtë metodë e përdornin sidomos në periudhën e festave të ndryshme apo të sezonit turistik, kur një numër i madh emigrantësh ktheheshin në Shqipëri, nga ku më pas vinin të ngarkuar me drogë”, shprehen hetuesit italianë të çështjes. Operacioni nisi në vitin 2007, kur një shpërndarës i rëndomtë u kap me një sasi prej 2 gramë heroinë dhe 2.5 kilogramë kanabis. Përgjimi i shpërndarësit zbuloi dhe kapot e rrjetit të drogës, që porositej nga bosi sicilian i arrestuar Salvatore Niza dhe më pas blihej në Shqipëri, shpërndahej në grupet dhe organizatat e tjera më të vogla që vepronin në territorin që Salvatore Niza e kontrollonte që nga burgu, ku vuan dhe dënimin e përjetshëm. Mësohet se 48 orë para zhvillimit të këtij operacioni, një shtetas grek dhe dy shqiptarë kanë mundur të largohen nga Italia. Aktualisht Prokuroria e Katanias ka prerë urdhër-arrestet për ta dhe ua ka bërë të ditur autoriteteve shqiptare dhe greke. Hetuesit italianë mendojnë se dy shqiptarët dhe greku që janë shpallur në kërkim, me shumë gjasa i janë drejtuar shtetit grek, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë udhëtuar drejt Belgjikës, për t’i shpëtuar hetimit të autoriteteve italiane.