Urdhri për prokurorët: Asnjë kontakt me median
Hetimi i ngjarjeve të 21 Janarit është pasuar nga një urdhër ekstrem, autorësia e të cilit ende nuk dihet. Ndryshe nga ditët e zakonshme të punës, ku qytetarë të shumtë i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, dita e djeshme ka nisur me portën e mbyllur, sidomos për përfaqësuesit e medias. Një polic me uniformë, që zakonisht ndodhet në “dhomën e tij” në hyrje të Prokurorisë, dje ishte në gjendje gatishmërie. Sipas tij, urdhri ishte i prerë: asnjë gazetar nuk duhet të hynte në ambientet e Prokurorisë. I njëjti urdhër, sipas burimeve, u është përsëritur edhe grupit të hetuesve e prokurorëve që po hetojnë ngjarjet e 21 janarit. Nga një komunikim me eprorët mëngjesin e djeshëm ata kanë mësuar se çdo takim, bisedë apo informacion dhënë gazetarëve do të ndëshkohej me pezullim nga hetimet e çështjes e deri në pezullim nga detyra. Masat drastike të vendosura nga Prokuroria, sidomos në raport me mediat, vijnë pas deklaratave të fundit se organi i akuzës po nxjerr të dhënat e hetimit lidhur me dosjen “21 Janari”.