Arestohen 4 gardistë, pyeten 2 komandantë
Tiranë- Dy komandantë të Gardës janë shoqëruar, ndërsa 4 efektivë janë arrestuar dje në mbrëmje nga policia, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, që ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë 30 ditë burg në mungesë, për ngjarjet e 21 Janarit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se katër gardistët që përfunduan në pranga janë: Gazmend Ahmetaj 38 vjeç, Sadik Çela 45 vjeç, Agron Malaj 43 vjeç dhe Mark Nikolli 28 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi po dje, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë në mungesë, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit, ku u vranë katër persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, prokuroria ka thirrur për të marrë në pyetje edhe dy drejtues të lartë të Gardës: Artan Hoxhën, me detyrë Shefi i Shtabit dhe Dashamir Shehin, komandant i njësisë nr. 2, që ka si detyrë specifike ruajtjen e Kryeministrisë. Dyshohet se ndaj njërit prej tyre, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por për këtë çështje, si prokuroria, ashtu edhe policia, kanë shmangur komentet zyrtare. Dashamir Shehu, shefi i një prej njësive më të rëndësishme të Gardës së Republikës, është marrë në pyetje tri ditë më parë, pasi ishte një prej gjashtë gardistëve, ndaj të cilëve Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalim, ndërsa pak orë pas ekzekutimit të tij, ai është liruar po me urdhër të prokurorisë. Për herë të parë në këtë çështje përmendet emri i Artan Hoxhës, me detyrë Shef i Shtabit në Gardën e Republikës, i cili vetëm pak ditë më parë dha shpjegime përballë Komisionit Hetimor, lidhur me planin e Gardës për të përballur demonstratën e 21 Janarit. Ende nuk dihen provat që Prokuroria mund të ketë siguruar ndaj dy drejtuesve të Gardës, aq më tepër që njëri prej tyre është pyetur dhe është lënë i lirë, po nga Prokuroria, vetëm tri ditë më parë. Ajo që konfirmohet zyrtarisht deri tani, ka të bëjë me faktin se me arrestimet e djeshme, shkon në 6 numri i punonjësve të Gardës së Republikës, të arrestuar për ngjarjet e 21 Janarit. Katër efektivët e arrestuar dje, sipas policisë, dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “shpërdorim detyre” në ngjarjet e 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 7 të tjerë me armë zjarri. Të paktën me këtë kërkesë i është drejtuar dje Prokuroria, Gjykatës së Tiranës, e cila është bindur të vendosë ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor. Në këtë mënyrë, Gjykata i ka lënë kohë grupit hetimor që brenda kësaj periudhe, të vërë në dispozicion provat që mund të implikojnë gardistët e arrestuar dje në ngjarjet e demonstratës së datës 21 Janar. Vetëm pak ditë më parë, prokuroria urdhëroi ndalimin e major Agim Llupos, me detyrë zv.komandant i njësisë speciale, ndërsa një ditë më pas, Prokuroria ndaloi edhe shefin e tij, Alfred Ahmetcenaj. Dy drejtuesit e njësisë speciale akuzohen për vrasjen në bashkëpunim, ndaj dy ose më shumë personave dhe me rrezikshmëri për jetën e shumë të tjerëve. E ndërsa për Llupon, Gjykata e Tiranës caktoi dy ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg”, ish-eprori i tij pritet të përballet mëngjesin e sotëm me togat e zeza dhe akt-akuzën e vrasjes në bashkëpunim, që Prokuroria ka ngritur kundër tij.