Forcimi i lekut, sjell intresa të larta
Banka e Shqiperise
Raporti i fundit i Bankës Qendrore thotë se për vitin 2007, sidomos në muajin dhjetor, rritja e portofolit të kredive ka shënuar rekord
Tregu bankar në vendin tonë priret nga rritjet e normave të interesit si të kredive, ashtu dhe të depozitave më muajt në vazhdim. Në analizën që i bën tregut Banka e Shqipërisë, rritja e interesave sidomos te kreditë, vjen si rezultat i rritjes së konkurrencës por edhe forcimit të lekut mbiçmimi i të cilit ka qenë 4 për qind. Raporti i fundit i Bankës Qendrore thotë se për vitin 2007, sidomos në muajin dhjetor, rritja e portofolit të kredive ka shënuar rekord. Kjo rritje e dhënies së kredive sipas Bankës së Shqipërisë, vjen edhe në kushtet kur bankat e nivelit të dytë ofrojnë interesa të larta, të cilat kanë shënuar rritje në masën 14 për qind. Kjo situatë paraqitet shqetësuese për Bankën e Shqipërisë, pasi ndikon në rritjen e inflacionit. Nga të dhënat e BSH-së, rezulton se zgjerimi i portofolit të kredisë gjatë muajve tetor - dhjetor 2007 në vlerë absolute arriti nivelin rekord prej 32.8 miliardë lekësh, ku mbi 50 për qind e të cilës u akordua vetëm gjatë muajit dhjetor. Pavarësisht ngadalësimit të ritmeve të rritjes së kredisë, kërkesa për kredi nga sektori privat vazhdon të jetë e lartë. Një fakt i tillë pohohet edhe nga specialistët e kredisë së bankave tregtare. Po kështu, gatishmëria e bankave për të dhënë kredi mbetet e lartë, edhe pse Banka e Shqipërisë ndërmori në fillim të vitit disa masa për frenimin e rritjes së kredisë. Arsyeja kryesore se pse politikat e bankave për kredidhënien mund të mos jenë ndikuar sa duhet nga këto masa, qëndron në faktin se aktiviteti bankar në Shqipëri ofron norma relativisht të larta të kthimit ndaj kapitalit. Këto kthime ruajnë nivele të larta edhe pas një rritjeje të mëtejshme të kapitalit, për të ruajtur raportin e mjaftueshmërisë në nivelet e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, në rast të rritjes së kredisë tej normës së përcaktuar në rregullore. Konkretisht, sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i ponderuar i depozitave 12-mujore arriti në 6.33 për qind në muajin dhjetor, 0.63 pikë përqindjeje më lart se në muajin shtator dhe 0.87 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë, duke tejkaluar dhe marzhin e sinjalizuar nga politika monetare. Në fund të vitit, reklamohen norma të larta depozitash dhe për efekt të tërheqjes së të ardhurave që hyjnë nga emigrantët. Diferenca me normat e interesit të depozitave në euro (të cilat zënë pjesën më të madhe të depozitave në valutë) është zgjeruar që prej gjysmës së dytë të vitit, gjë që mendohet të ketë mbështetur vlerësimin e monedhës vendase. Me rritjen e kërkesës për kredi në lekë në fund të vitit, normat e interesit kanë pësuar një rritje, 14.1 për qind në tremujorin e katërt nga 13.1 për qind në tremujorin e kaluar. Pesha e kredisë në lekë mbetet ende e ulët dhe interesat për këtë tregues janë të luhatshëm nga një periudhë në tjetrën, në varësi të shpërndarjes së kredidhënies. Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës së sistemit bankar në kredidhënie ka ndikuar në ruajtjen e një niveli mesatar të normës së kredisë, pavarësisht orientimit të politikës monetare. Kjo ka sjellë dhe një ulje të lehtë të diferencës së interesave midis depozitave dhe kredisë në lekë, gjatë këtij viti. Mesatarisht, ky tregues llogaritet në 8.9 për qind nga 9.4 për qind vitin e kaluar. Kjo shifër është më e ulët për monedhën evropiane. Normat e interesit për kredinë në euro janë rritur gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në euro në tregun ndërkombëtar, por diferenca e tyre me depozitat në të njëjtën monedhë ka rënë në 5.25 pikë përqindjeje nga 5.50 pikë përqindjeje gjatë vitit 2006.