Bollano kthen fletën
Vasil Bollano
Kryetari i Bashkisë së Himarës zgjidhet në krye të OMONIA-s, por mohon se ka marrë ndihmë nga Nikolas Gejxh (Nikos Gatzojannis). Gjithashtu, në një qëndrim të papritur, Bollano shprehet pozitiv rreth pavarësisë së Kosovës
Kryetari i ri i OMONIA-s Vasil Bollano nuk e pohoi por as e mohoi praninë e lobistit grek Nikolas Gejxh në Shqipëri para kongresit të kësaj organizate që rezultoi me triumfin e tij. I pyetur dje nga Korrieri nëse Nikolas Gejxh ka pasur ndonjë ndikim në këtë rezultat, Bollano u përgjigj se “ndikimin më të madh e patën delegatët e kongresit, ndër të cilët 170 nga 180 të pranishëm ma besuan mua votën e tyre”. Kreu kontrovers i bashkisë së vogël të Himarës tha gjithashtu se tani që u zgjodh edhe kryetar i OMONIA-s nuk ka ndërmend të kryejë ndonjë ndryshim në linjën e saj të përgjithshme politike. “Nuk bëhet fjalë për ndryshim, tani që unë u zgjodha në krye të OMONIA-s. Politika ime është politika e vazhdimësisë”, tha zoti Bollano. Rreth një vit më parë, gjatë një interviste televizive, kryebashkiaku himariot, i njohur për frymën e tij nacionaliste greke paralelizoi kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës që kishte vuajtur përgjatë një shekulli shtypje barbare, vrasje, spastrime dhe gjenocid etnik, me ato të një minoriteti të vogël grek në jug të Shqipërisë që gëzon numër të konsiderueshëm të drejtash. Një vit më vonë, teksa shumica dërrmuese e 2 milionë banorëve të Kosovës ka arritur aspiratën e saj legjitime, atë të pavarësisë, përfaqësuesi i pakicës prej 30-60 mijë individëve me origjinë greke në disa fshatra në Shqipëri thotë se deklarata e tij e asokohe u keqkuptua dhe u keqinterpretua. I pyetur nga Korrieri nëse ai e mbështet pavarësinë e Kosovës, zoti Bollano deklaroi se mbështet të drejtën e të gjithë qytetarëve të botës për mbrojtjen e interesave të tyre. “Përfshi këtu edhe të drejtën e popullit kosovar”, tha zoti Bollano i cili nuk deshi të komentojë më tej rreth këtij argumenti vërtet delikat. Termi “Vorio Epir” (Epir i Veriut) i cili vazhdon të përdoret me këmbëngulje nga qarqe nacionaliste greke kur i referohen Jugut të Shqipërisë ngjall reagime të forta emocionale në Shqipëri ku rreth 3,5 milionë shqiptarë jetojnë prej shekujsh paqësisht përkrah një pakice greke prej afro 0.3% të popullsisë së përgjithshme. Epiri antik ishte një mbretëri e cila konsiderohej si barbare dhe e huaj nga helenët e lashtë dhe që me shumë gjasë kishte një sfond etnik ilir me ndikime religjoze dhe kulturore helenistike. Pas pavarësisë së Greqisë moderne, një krahine me popullsi mikse greko-shqiptaro-arumune në veri të saj që përkonte vetëm pjesërisht me shtrirjen gjeografike të Epirit të vjetër iu vu emri zyrtar Epiros dhe menjëherë më pas qarqe të ndryshme nacionaliste nisën të rivendikojnë nga kjo premisë edhe territoret e tjera të Epirit të veriut të cilat vazhdonin dhe vazhdojnë të predominohen në një shumicë dërrmuese nga popullsi shqiptare të besimeve të ndryshme fetare. Gejxh në Shqipëri? Përpara zhvillimit të Konferencës së 7-të Zgjedhore të OMONIA-s në Sarandë, flitet që të ketë qëndruar në Shqipëri, Nikos Gazojanis-Nikolas Gejxh, njeriu më i rëndësishëm i lobit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa zëra në konferencë u dëgjuan të pëshëpërisin se Gejxhi kishte qenë në Shqipëri diku nga fundi i muajit të kaluar, por pa saktësuar ndonjë veprimtari të tij. Ndërkaq, një zyrtar shumë i lartë i PBDNJ-së i tha “Korrierit” se “nuk është e vërtetë, të paktën me aq sa di unë”, lidhur me qëndrimin e Gejxhit në Shqipëri, por pa hedhur poshtë mundësinë jashtë informacioneve të tij, që Gejxh të ketë qenë.