Nafta arrin kulmin, çmimi 150 lekë
Tronditen bursat çmimi i naftës 105.15 dollarë fuçia. Në vend eurodiesel fillon shitja me 150 lekë/litër
Duket se muaji mars ka startuar me rritjen e çmimeve të produkteve energjetike të cilat do të përcillen direkt për një shtrenjtim të buxhetit familjar. Pas rritjes së çmimeve të produkteve të shportës së mallrave të konsumit dhe energjisë ja ku erdhi dhe rritja e çmimit të naftës. Sipas kryetarit të Shoqatës së Hidrokarbureve në vendin tonë Viktor Nushi, reagimi ka qenë vetëm në disa pika karburantesh. Por sipas tij, deri në fund të javës pritet që rritja e çmimeve të jetë e paevitueshme në gjithë vendin. Nga dita e djeshme ashtu dhe siç ishte paralajmëruar nga grosistët çmimi i naftës është rritur me 5 lekë për litër. Kështu në pikat e shitjes së karburantit me pakicë eurodiezel është shitur 148 deri në 150 lekë për litër. Çmimi i mëparshëm i naftës eurodiesel ishte 145 lekë/litër. Kurse çmimi i benzinës gjatë ditës së djeshme është rritur me 5 lekë për litër duke u shitur 150lekë/litër. Rritje të çmimit ka pësuar dhe D2 ku gjatë ditës së djeshme është shitur me 145 lekë/litër. Rritjen më të lartë të çmimit e ka pësuar benzina pa plumb e cila është shitur me 151 lekë për litër. Sakaq kjo situatë e rritjes së çmimeve në tregun e karburanteve ishte paralajmëruar dhe nga importuesit më të mëdhenj në vend. Ata shpjegojnë se rritja e çmimit vjen si rezultat i rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Ndërkaq që muaji mars përkon me periudhën e përfundimit të rezervave të naftës nga importuesit dhe fillimit të atyre të rejave. Duke ju referuar të dhënave në bursat e huaja çmimi i shitjes së naftës ka qenë 105.15 dollarë për fuçi. Pra në krahasim me javën e kaluar çmimi i shitjes së naftës është 3.3 për qind më i lartë dhe 70 për qind më i lartë se vitin e kaluar. Nisur nga kjo situatë importuesit shpjegojnë se pavarësisht ka një rënie të kursit të këmbimit të dollarit, mungesa e rezervave të naftës ka ndikuar në rritjen e çmimit të këtij të fundit. Po ashtu faktorë të tjerë të cilat ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës janë edhe kostot e transportit që duhet të paguajnë importuesit si edhe akcizat e larta. Pra për gjatë vitit 2007 akcizat e karburanteve shënuan rritje në 4 lekë për litër. Edhe pse nga ana e importuesve janë përsëritur kërkesa të vazhdueshme për uljen e akcizave kjo nuk është pranuar nga ministria e financave. Shkaku mbetet të ardhurat e larta që financat kanë siguruar nga e akcizës të dhëna këto që janë bërë publike dhe nga Banka e Shqipërisë. Por nga ana tjetër nuk duhet harruar fakti se kërkesat e konsumatorëve shqiptare për naftë janë gjithmonë e në rritje. Sipas të dhënave që jepen nga drejtoria e përgjithshme e doganave për gjatës periudhës janar – shkurt të këtij viti janë zhdoganuar 58.154 ton naftë. Rritja e çmimeve të naftës është reflektuar në kosto shtesë në transport dhe në rritje çmimesh në shumë sektorë të tjerë, duke i vënë blerësit para një inflacioni çmimesh. Në fillim të vitit 2007 çmimi i naftës shënonte rreth 50 dollarë për fuçi për të arritur në 98 dollarë/fuçi në fund të vitit. Por analistët e bursave kanë deklaruar se nafta në vitin 2008 do të tejkalojë 100 dollarë për barel. Pra parashikohet që çmimi i shitjes së naftës në bursat e huaja të shkojë deri në 120 dollarë për fuçi. Duke u nisur nga këto çmimi që paraqet shitja e naftës në bursat e huaja dhe parashikimeve për një krizë të mundshme grosistët shprehen si edhe çmimet në vendin tonë do të jenë të pakontrollueshme.