E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Kamzë, një polic i vdekur, një në gjendje të rëndë

TIRANE- Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kamëz, ku një efektiv i policisë rrugore ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Patrulla e policisë është përplasur nga një makinë ‘BMV X5’, e cila nuk i është bindur thirrjes së policisë për të ndaluar. Pas aksidentit mjeti është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Efektivi i policisë S.Mena nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë, ndërsa efektivi tjetër P.Lleshi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak.

Patrulla e policisë rrugore të Komisariatit numër 5 ndodhej pranë rreth rrotullimit të Bathores. Në momentin e aksidentit njëri nga policët kishte ndaluar një makinë me targa greke të cilës po i kontrollonte dokumentet, ndërsa polici tjetër ndodhej në afërsi të fugonit të policisë.

Makina ‘BMV X5’ e drejtuar nga Edmir Islam Koleci ka përplasur të dy policët. Polici që ndodhej pranë fugonit S.Mena ka marrë goditje fatale dhe ka humbur jetën. P.Lleshi ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Në vendngjarje kanë vajtur menjëherë forcat e policisë si dhe drejtues të saj si Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçaj. Policia ka identifikuar autorin dhe ka gjetur të braktisur makinën me të cilën është kryer krimi në Laknas.

Policia ka bërë me dije se ka vendosur 10 milionë lekë të vjetra shpërblim për cilindo që ofron informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes. Të gjithë mund të telefonojnë në numrin e sallës operative (129) për të dhënë informacione.

Edmir Islam Koleci është emër i njohur për Policinë e Tiranës pasi është dënuar edhe më parë për vepra penale. Ai është shpallur në kërkimi nga policia ndërkohë që kjo e fundit po negocion me familjarët e autorit për ta bindur atë të dorëzohet.

(a.h/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›