E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Kukës, një vdes, tjetri plagoset

KUKËS – Tenton të ndalojë “IFA”-n, por mbetet i shtypur prej saj. Aksidenti i rëndë automobilistik ndodhi dje në bjeshkët e Kolesjanit, në Kukës. Një automjet tip “IFA” mori përpara dy persona, duke shkaktuar vdekjen e Elez Spahisë, 40 vjeç, dhe plagosjen rëndë të Bardhyl Omurit, 25 vjeç. Ngjarja ndodhi mesditen e së martës, në vendin e quajtur Laku i Limthit, ku viktimat po merreshin me prodhimin dhe transportin e druve. Automjeti tip “IFA”, i cili shkaktoi viktimat ishte i fikur dhe i parkuar në një dishezë në pritje të ngarkesës. Por krejt papritur automjeti filloi të lëvizë, ndërkohë që personat që ndodheshin aty pranë u munduan ta ndalin duke i vënë shpatullat për t’i prerë hovin. Por shpejtësia e automjetit është shtuar duke zënë poshtë Elez Spahinë dhe duke plagosur Bardhyl Omurin. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë së komisariatit të Kukësit bashkë me një grup ekspertësh, ku si shkak të aksidentit përcaktuan pakujdesinë e viktimave. I plagosuri Omuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Kukësit dhe më pas në Tiranë për një trajtim më të specializuar. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›