E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurt vendi

 

Përmbyset zetori, një i plagosur

BERAT- Ndodhet në gjendje kome 23-vjeçari i plagosur dje në vendin e quajtur “Lisi i Beçit”, rreth 1,5 kilometra mbi kurorën e ullinjve të qytetit të Beratit. Aleksandër Damo mbeti i lënduar, ndërsa shoku i tij Shkëlzen Xhambolli arriti të shpëtojë për mrekulli, ndërsa zetori me të cilin lëviznin u përmbys dhe u rrotullua disa herë. Burimet nga vendngjarja shprehen se dy të rinjtë kishin shkuar në fshatin Bregas për të bërë dru në pyll. Por, për shkak të pakujdesisë dhe rrugës së keqe, zetori doli nga rruga dhe është rrotulluar duke u ndaluar falë trungut të një peme ulliri. Për pasojë, poshtë rrotave mbeti 23-vjeçari Damo, ndërsa shpëtoi shoku i tij. Dëshmitarë okularë në vendngjarje ishite edhe kryeplaku i fshatit, i cili bashkë me të tjerë ka bërë të mundur dërgimin e të plagosurit në spital. Bluzat e bardha shprehen se i riu mbërriti në gjendje të rëndë dhe më pas kaloi në gjendje kome, ndërsa vazhdon të mbahet me oksigjen. Ai ka pësuar shumë fraktura në trup dhe goditje në kokë, ndërsa dërgimi për në Tiranë duket i pamundur deri në momentin e daljes nga koma. Ndërkaq policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. --------------------------------------------------Tre të lënduar në një aksident rrugor

BERAT- Një aksident përgjaku dje rrugët e Beratit. Dy automjete tip “Benz” u përplasën duke shkaktuar tre të plagosur. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se shkak për aksidentin ishte shpejtësia e madhe e automjetit të drejtuar nga 55-vjeçari Ahmet Komini. Tre të aksidentuarit janë 55-vjeçari që drejtonte automjetin me targa EL 4006 B, si dhe bashkëshortët Bujar e Liljana Dushniku. Përkatësisht 49 dhe 45 vjeçe, banorë të Beratit. Tre të plagosurit u dërguan në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e para rezultoi se Komini i shte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Si rrjedhojë, ai do të procedohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe “drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur”. -------------------------------------------------Grinden kushërinjtë, njëri në kërkim

LIBRAZHD - Një sherr për pronën bëri që dy vëllezër të sulmojnë të afërmin e tyre, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Pishkash të komunës Qukës, në rrethin e Librazhdit. Policia arrestoi shtetasin Lulzim Bisku 18 vjeç, pasi në bashkëpunim me vëllanë e tij, Besnik Bisku, 23 vjeç, qëlloi me mjete të forta kushëririn e tyre 38-vjeçar A.Bisku. I dëmtuari ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë për jetën. Pas ngjarjes u prangos Lulzim Bisku, ndaj të cilit rëndon akuza e “plagosjes së rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”. Policia ka shpallur në kërkim vëllanë e tij, i cili është larguar në drejtim të paditur. Sipas të dhënave të para të grupit hetimor, përleshja mes kushërinjve ka ndodhur për motive pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›