Aksident në Kushtovë, 2 të vdekur e 4 të lënduar

Në një aksident të rëndë në trafik, që ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës në fshatin Kushtovë të Mitrovicës, kanë humbur jetën dy persona, kurse lëndime trupore kanë marrë katër të tjerë.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë - Zubin Potok, ndërsa ishin të përfshira dy automjeteve civile, një “Golf 3” dhe një “Opel Vectra”, njoftoi policia.
“Në bazë të hetimeve preliminare të rastit, aksidenti besohet të ketë qenë shkaktuar në momentin kur automjeti ‘Opel Vectra’ po bënte një lëvizje nga prapa për t’u lidhur në rrugën magjistrale nga oborri i shtëpisë, ndërsa në atë moment me lëvizje të shpejtë, në rrugën magjistrale po qarkullonte automjeti ‘Golf 3’, i cili drejtpërsëdrejti godet automjetin ‘Opel’ në dy dyert anësore të krahut të djathtë të automjetit”, thuhet në raportin e përgatitur nga zëdhënësi Besim Hoti.
Në këtë aksident, jetën tragjikisht kanë humbur Fazli Tahiri (1946) dhe bashkëshortja e tij Xhyle Tahiri, ndërsa edhe katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë për intervenim të parë mjekësor. Më pas, ata janë transferuar në QKUK në Prishtinë, për trajtim të mëtejmë.
Ngasësi i automjetit “Golf 3”, një 34-vjeçar, nga fshati Koshtovë i Mitrovicës, gjithashtu është lënduar dhe është nën tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë.
Nga hetimet e para në vendngjarje, besohet se aksidenti është shkaktuar si rezultat i pakujdesisë dhe ngasjes së shpejtë (tejkalim i shpejtësisë) ndërsa hetuesit policorë të trafikut kanë regjistruar gjurmët e frenimit të automjetit “Golf 3” në gjatësi prej më shumë se 30 metra.