Holanda, mbështetje të plotë për liberalizimin e vizave
Holanda do t’i japë mbështetje të plotë vendit tonë në realizimin e shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave. Premtimi është dhënë nga qeveria holandeze, gjatë takimit që ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zhvilloi me homologen e tij holandeze Guusje Ter Hrost dhe sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Joris Demmink. Pas takimeve të zhvilluara, ministri Basha u shpreh se është optimist që vendimi për liberalizimin e vizave të mos vonojë. “Takimet dhe informimi i vazhdueshëm i partnerëve tanë të vendeve anëtare shërbejnë që të mos kemi asnjë pengesë dhe menjëherë pas vlerësimit të Komisionit Evropian, për të cilin kam të gjitha arsyet për të qenë optimist, vendet anëtare, që janë vendimmarrësit, të mos vonojnë aspak dhe të marrin vendimin e shumëpritur nga shqiptarët”, - deklaroi Basha. Ministrja e Brendshme holandeze vlerësoi maksimalisht rezultatet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrave dhe kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave në të gjitha blloqet përkatëse, si për sigurinë e dokumenteve, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit. Ter Horst e cilësoi të suksesshme luftën kundër krimit të organizuar, si dhe u shpreh se rezultatet tregojnë se Shqipëria është një vend shumë i sigurt. Gjatë takimit të zhvilluar në Hagë, ministri Basha informoi mbi punën e bërë nga qeveria, si ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal, si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Holandës, Joris Demmink, pas takimit me numrin një të Ministrisë së Brendshme shqiptare në një krahasim të bërë u shpreh se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE-së në lidhje me aspektet teknike të dokumenteve të identitetit dhe sigurisë së kufijve. “Kontrolli i kufijve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, për sa u përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera”, - u shpreh ai. Ndërkohë që theksoi se Holanda e mbështet liberalizimin sa më të shpejtë të vizave par vendin tonë. “Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur”, - u shpreh ai. Nga ana e tij, Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i mëparshëm në dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni Evropian në shkurt 2010 do të konstatojnë përmbushjen e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu ftoi homologen e tij holandeze për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua nga ministrja Guusje Ter Horst.