E Diel, 1 Nëntor 2026

Aferat korruptive:Apeli konfirmon arrest me burg për tre zyrtarët, lirohen biznesmenët

Gjykata e Apelit ka caktuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 3 zyrtarëve të akuzuar për praktikat e ndjekura në tenderin që zhvillohej për veshmbathjet dhe uniformat e personelit të Ministrisë së Brendshme. Togat e zeza vendosën masën e sigurisë “arrest me burg” për Bujar Muratin, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme; Redi Popesku, specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Imami, shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, ndërkohë që ndryshoi masën në detyrim paraqitje për biznesmenin Artan Berberi. Ndërkohë që po kjo gjykatë vendosi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të pandehurin Jani Gjergjefi, ndërsa për të pandehurin Agur Sadiku gjykata la në fuqi masën “arrest shtëpie”. Gjatë seancës së djeshme për revokimin e masës së sigurisë, mbrojtësit i kërkuan gjykatës caktimin e një mase sigurie më të butë sesa ajo e caktuar nga shkalla e parë. Ndërkohë që akuza kërkoi lënien në fuqi të masës, pasi nuk kanë ndryshuar edhe kushtet ndaj të pandehurve. Gjashtë të pandehurit akuzohen nga prokuroria e Tiranës për abuzime me tenderin e veshjeve në Ministrinë e Brendshme. Shuma financiare e abuzimit arrin shifrën totale prej rreth 125 mijë eurosh, shumë kjo që është dhënë nën dorë për të fituar tenderin me vlerë prej 175.034.194 lekësh. Hetimet ndaj të pandehurve nisën 4 muaj më parë nga prokuroria e Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›