E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avioni, panik tek 100 pasagjerët e linjës Tiranë-Torino

Avioni i dytë i “Albania Airlines” brenda një jave dështon të çojë pasagjerët e tij në destinacion. Një defekt në aparaturat e avionit të linjës Tiranë-Torino ka detyruar pilotin që të bëjë një ulje të detyruar në aeroportin “Nënë Tereza”. Në bordin e tij ishin 100 pasagjerë, të cilët do të udhëtonin drejt Italisë e janë lajmëruar pas 30 minutash pasi ishin nisur se do të anulohej fluturimi. Avioni i linjës “Albania Airlines” ishte nisur dy orë me vonesë nga orari i tij zyrtar. Pas rreth 30 minutash që ai ishte në ajër, pilotët kanë vënë re probleme. Ata kanë dalluar një defekt në mjet dhe kanë vendosur që ta ulnin sërish atë. Ekuipazhi ka lajmëruar udhëtarët, të cilëve u është komunikuar vendimi se nuk mund të vazhdohej udhëtimi dhe se do të ktheheshin sërish në tokë. Pasagjerët thanë se ishin njoftuar që avioni nuk mund të përballonte fluturimin në lartësi të mëdha dhe se disa aparatura të tij nuk funksiononin mirë. Avioni ka vazhduar fluturimin përreth 40 minuta të tjera, procedurë kjo e nevojshme për të djegur karburantin e marrë. Pilotët u kanë thënë pasagjerëve se për shkak të temperaturave të ulëta në lartësitë e mëdha dhe për shkak të defektit nuk do të mund të vazhdohej udhëtimi i planifikuar. Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, deklaroi se po hetohej problemi dhe se pritej një zgjidhje e shpejtë për pasagjerët. Ndërsa mësohet se një fluturim tjetër i të njëjtës kompanie është anuluar pa u nisur.
Pasagjerët e avionit me probleme janë kthyer në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku janë vendosur në sallën e pritjes. Ndërkohë që tek avioni kanë shkuar inxhinierët, të cilët kanë parë dëmin dhe janë përpjekur për rregullimin e tij. Nga ana e tyre, të 100 pasagjerët kanë kërkuar një mjet tjetër në dispozicion, për të vazhduar udhëtimin e tyre në drejtim të Italisë, sipas programit të paracaktuar. Para katër ditësh, një tjetër problem ndodhi me kompaninë ajrore “Albania Airlines”. Ditën e diel, një tjetër avion i linjës “Albania Airlines” ndryshoi destinacionin e tij nga Bolonja ku ishte drejtuar, për në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavës, duke mbajtur peng rreth 110 pasagjerë. Sipas deklarimeve, ishin pilotët e avionit ata të cilët kishin ndryshuar vendmbërritjen e mjetit, në shenjë proteste pasi nuk kishin marrë rrogat. Pasagjerët janë lënë me orë të tëra të presin në aeroportin e Bratislavës, ndërkohë që më vonë ndaj tyre është vënë në dispozicion një tjetër mjet, i cili i ka çuar ata në pikëmbërritjen e paracaktuar. Në lidhje me këtë ngjarje, kanë nisur hetimet nga ana e institucioneve që merren me kontrollin e trafikut ajror, po ende nuk ka një version përfundimtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›