E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Rinas, pranga emigrantit

 TIRANE - Një emigrant i cili ishte kthyer në Shqipëri për festat e fundvitit, ka përfunduar në pranga, pasi ka përplasur me makinë një grua 32-vjeçare. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës, mësohet se është arrestuar 32-vjeçari Alfred Xhafa, lindur dhe banues në Maminas të Durrësit. Arrestimi i tij u bë pasi dy ditë më parë, rreth orës 17:00, në segmentin rrugor kthesa e Rinasit-Vorë, duke drejtuar automjetin veturë "Daewo" me targë BA 823 SR, ka goditur duke e aksidentuar këmbësoren 32-vjeçare Shpresa Balliu, banuese në Vorë. Ajo në momentin kur është përplasur nga makina që drejtonte emigranti ishte duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Gruaja e aksidentuar u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vazhdon ende të jetë në rrezik për jetën. Mësohet se drejtuesi i mjetit menjëherë pas aksidentit ka ndaluar për t'i dhënë ndihmën e parë 32-vjeçares dhe ka pritur deri sa ka mbërritur ambulanca dhe Policia Rrugore. Pas veprimeve hetimore të kryera në vendin e ngjarje nga ekspertët automobilistikë e kriminalistë, Alfred Xhafa u arrestua me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›