Varfëria e sëmundja, vrasin veten në një ditë dy persona
KRUJE/ELBASANNjë burrë e një grua i dhanë fund jetës ditën e djeshme, i pari në Elbasan dhe tjetra në një fshat të Fushë-Krujës. Policia ka përcaktuar tek të dy rastet se vendimi është marrë në kushtet e një depresioni të thellë, ndërsa po heton për zbardhjen e motiveve. Në Zallë të Fushë-Krujës, Merita Zherri, 35 vjeçe u gjet e varur në kasollen e bagëtive, nga bashkëshorti i saj. Nga hetimet e para dyshohet se një sëmundje e rëndë ka shkaktuar tronditjen e fortë të gruas deri në dhënien fund të jetës. Sipas dëshmive të familjarëve që kanë dhënë për policinë, nëna e tre fëmijëve është dukur e qetë mëngjesin e djeshëm. Ajo ka ushqyer fëmijët dhe pasi i ka puthur ka dalë jashtë shtëpisë. Në këtë kohë, i shoqi po përgatitej për në punë. Kur do të dilte ai i ka thirrur të shoqes, por ajo nuk i është përgjigjur. Pas disa herësh ai ka nisur ta kërkojë. Ka kontrolluar në shtëpi e më pas ka parë në kasollen e bagëtive. Aty ka gjetur trupin e së shoqes, të pajetë, e cila me një litar najloni ishte vetëvarur në traun e kasolles. Policia e Krujës, e lajmëruar nga i shoqi i viktimës, kreu ekspertizën duke konkluduar se Zherri ishte vetëvarur, pasi kishte mësuar për sëmundjen e pashërueshme. Bashkëshorti i sa u mor në pyetje, por sipas burimeve, ai nuk është i dyshuar se mund të ketë shtrënguar bashkëshoren e tij deri në vetëvrasje. Ngjarja tjetër e rëndë ndodhi në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë, Ferit Ferra, 44 vjeç, banor i lagjes "Emin Matraxhiu" i ka dhënë fund jetës pasi është helmuar me fostoksinë. Viktima është gjetur nga të afërmit e tij, në gjendje të rëndë. Ai është transportuar për në spitalin e Elbasanit, por sipas mjekëve ka mbërritur në urgjencë i pajetë, për shkak të sasisë së madhe të helmit. Nga hetimet e para dyshohet se gjendja e vështirë ekonomike ka qenë shkaku i vetëflijimit, ndonëse po punohet akoma për gjetjen e motivit. Sipas familjarëve, ditët e fundit ai kishte shfaqur shenja depresive. Rastet e vetëflijimeve, për shkaqe kryesisht varfërinë e depresionin janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit në shumë zona të varfra të vendit. r.n/a.k