E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtari peng për një vajzë

 Etleva DeliaDy të rinj u arrestuan mesditën e djeshme në Tiranë me akuzat e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosjes për dhënien e pasurisë. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit mësohet se të arrestuarit janë Pjerin Prenga, 21 vjeç dhe Evi Pelingu, 22 vjeç. Dy të rinjtë janë kallëzuar nga tregtari Genti J., 21 vjeç, të cilin e kanë mbajtur peng për disa orë, duke e rrahur dhe kërcënuar që t'u jepte paratë. Sipas policisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak se Genti J., pronar i një dyqani veshmbathjesh, ishte i lidhur me motrën 18-vjeçare, të njërit prej autorëve të ngjarjes. Vëllai i vajzës, ndërkohë kishte zbuluar lidhjen. Sipas policisë, të dyshuarit mesnatën e së mërkurës i kanë hyrë me forcë në makinë 21-vjeçarit tek Instituti i Higjienës, tek rruga e Elbasanit dhe e kanë detyruar që të shkojë deri në Lundër, në periferi të Tiranës. Aty i dëmtuari është mbajtur peng për disa orë. Pasi e kanë rrahur dhe i kanë marrë sendet që kishte me vete autorët e kanë lënë të lirë tregtarin. PENGMARRJAPjerin Prenga, njëri nga autorët e dyshuar që u arrestua dje nga policia, ishte informuar nga miqtë e tij, se Genti J., i ngacmonte motrën 18-vjeçare. Duke menduar se ai po bezdiste motrën pa dëshirën e saj, Prenga dyshohet se ka planifikuar të hakmerret, por ka kërkuar edhe ndihmën e shokut të vet, Evi Pelingut. Pasi e kishin mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, mbrëmjen e së mërkurës kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të vepruar. Genti J. ka qenë në makinën e tij, duke qëndruar para dyqanit të vet, tek Instituti i Higjienës, tek rruga e Elbasanit në Tiranë, kur Prenga dhe Pelingu kanë hipur me forcë në mjetin e tij dhe duke e kërcënuar se do ta vrisnin e kanë detyruar që të drejtojë makinën në drejtim të Lundrës. Kur kanë arritur në disa rrugica të errëta të Lundrës, kanë qëndruar për disa orë në makinë me të duke e goditur me grushte dhe sende të forta dhe duke e kërcënuar që t'u jepte paratë që kishte me vete. Tregtari Genti J., ka treguar se nuk kishte para me vete vetëm kartën e bankomatit, por që aty pranë nuk kishte asnjë bankë për të tërhequr para. Duke i kërkuar që ai të shkëputej nga motra e autorit, i kanë marrë me forcë celularin dhe orën e më pas e kanë lënë të lirë. Pas ngjarjes 21-vjeçari është drejtuar menjëherë në polici dhe ka kallëzuar dy personat, që e kishin rrëmbyer dhe e kishin vjedhur me dhunë. Pas kallëzimit, mëngjesin e djeshëm policia ka arrestuar autorin kryesor të ngjarjes, Pjerin Prengën e më pas nga mesdita kanë bërë të mundur edhe arrestimin e bashkëpunëtorit të tij Evi Pelingu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›