Borxhet, gjykata bllokon paratë e Bashkisë së Pukës
PUKE- Gjykata bllokon llogarinë e Bashkisë së Pukës, deri në shlyerjen e borxheve që ka ndaj privatëve. Pas 4 vitesh, merret vendimi i formës së prerë për të mos u kryer asnjë investim në qytet pa u dhënë shumë prej 15 milionë lekësh. Përjashtim nga ngrirja e parave do të kenë pagat për punonjësit. Ndonëse ky fenomen ekziston prej vitesh, subjektet private që janë marrë me pastrimin e qytetit, me rikonstruksionin e rrugëve apo me shërbime të tjera për komunitetin kanë vendosur që problemin ta zgjidhë drejtësia. Sipas kryetarit të Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, kjo situatë ka ardhur ngaqë buxheti i bashkisë është pakësuar nga viti në vit. Sipas Strugës në mungesë të fondeve, prej katër vitesh kjo bashki është e detyruar që pjesën më të madhe të shërbimeve ndaj qytetarëve ta kryejë duke kërkuar ndihmën e bizneseve të mëdha në qytete, të cilët kanë luajtur rolin e sipërmarrësve në pastrimin e rrugëve nga dëbora apo sigurimin e ngrohjes në shkolla e kopshte. Por aktualisht sipërmarrësit kanë hedhur në gjyq bashkinë, e cila nuk shlyen borxhet e mbartura prej vitesh dhe gjykata ka vendosur në favor të tyre. Me vendim të gjykatës i është vendosur sekuestro numrit të llogarisë bankare të Bashkisë së Pukës. Për drejtuesit e këtij institucioni, kjo situatë do të sjellë kaos dhe bllokim të aktivitetit financiar të bashkisë në pastrimin e qytetit, të gjelbërimit apo në shërbimet e ndryshme që u ofrohen qytetarëve. Bëhet fjalë për një borxh prej 15 milionë lekësh që Bashkia Pukë u detyrohet sipërmarrësve, të cilët edhe pse kanë kryer punën prej vitesh në mirëbesim nuk janë paguar akoma. Kryebashkiaku Struga thotë se gjithçka është krijuar nga deficitet në vite nga mungesa e fondeve. Madje dhe viti 2010, sipas tij, ka grantin më të vogël se një vit më parë në një kohë që në bazë të ligjit për buxhetin duhet të ndodhë e kundërta. Qyteti i Pukës është një nga qytetet e thella malore të veriut të Shqipërisë, ku mbi 40% e popullsisë është e papunë dhe kushtet ekonomike të banorëve janë në nivele të ulëta. Gjithashtu, Puka është një qytet që ka një sezon dimri mjaft të ashpër me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore që shumë herë bllokojnë dhe rrugët. Në këto kushte kur rrezikohet dhe mosfunksionimi i pushtetit lokal ky qytet duket se ka mbetur në mëshirë të fatit. r.d