E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Gori, shteti dhe pushteti

Grid Rroji Demokracia amerikane njihet si një nga sistemet më të konsoliduara dhe më të qëndrueshme në botë. Që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur De Tocqueville mahnitej me vitalitetin e sistemit amerikan e deri në kohët e fundit, kur demokracia amerikane është përballur me probleme në dukje të pazgjidhshme, si për shembull votimet në shtetin e Florida-s në vitin 2000. Në këto votime disa qindra vota ishin përcaktuese për të zgjedhur Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njeriun më të fuqishëm në botë. I rikthehem këtij shembulli të cilin e ceka shkurtazi në shkrimin e mëparshëm sepse mendoj se shembulli i Floridës është shumë domethënës për aktualitetin e sotëm në Shqipëri.  Al Gore fitoi me vota por humbi në kolegjin elektoral. Pra Gore i kishte të gjitha kushtet morale për të kontestuar deri në fund zgjedhjet. Por me vendimin final të gjykatës, Al Gore si një burrë shteti i vërtetë hapi rrugë dhe njohu Presidentin e ri.Në lidhje me këtë çështje është hapur një debat për sa i përket paralelizmit të rastit Gore me kërkesën e opozitës shqiptare për të hapur kutitë. Opozita shumë tinëzisht është munduar ta kthejë këtë episod në favor të sajin, duke argumentuar se pas zgjedhjeve kutitë u hapën dhe në fakt rezultoi se Al Gore i kishte fituar zgjedhjet. Transparenca ishte e domosdoshme për të forcuar besimin ndaj demokracisë - thotë klani Rama - dhe për këtë arsye është edhe në Shqipëri.Por, tinëzia e kësaj teze qëndron në atë çka ata nuk e thonë. Së pari, Al Gori njohu zgjedhjet si të ligjshme dhe uroi Presidentin e ri. Vetëm disa muaj më vonë u kërkua, dhe disa muaj të tjerë më vonë u arrit të hapeshin kutitë e Floridas nga disa grupe jo qeveritare. Al Gore, jo vetëm që nuk kishte asnjë lidhje me përpjekjet për hapje të kutive, por për më tepër në momentin e hapjes së kutive zgjedhjet ishin konsideruar me kohë të mbyllura dhe administrata kish filluar punën. Pra akti politik i hapjes së kutive u bë i mundur vetëm pasi përfundoi de facto dhe de jure akti ligjor i kundërshtimit të zgjedhjeve. Në rastin konkret, nëse Edi Rama ripranon zgjedhjet, të cilat i njohu më 29 qershor dhe i çnjohu në gusht, nëse tërheq kërcënimet për plumb mbas veshi ndaj deputetëve të vet dhe i lejon të hyjnë në parlament, nëse pranon që në një sistem demokratik -ku palët kanë rënë dakord paraprakisht për rregullat e lojës dhe ato janë respektuar sipas të gjithë vëzhguesve-shteti duhet të vazhdojë të funksionojë edhe pse atij mund të mos i pëlqejë humbja, atëherë edhe mund të flisnim për parimin politik të transparencës së kutive. Por në kushtet kur Edi Rama bën thirrje për revolucione e marrje të pushtetit me dhunë, çdo shtet që respekton vetveten duhet të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të pasur siguri të garantuar.  Së dyti, në rastet kur ka manipulime në zgjedhje pasoja më e parë për shtetin si sistem qeverisës i polis-it është humbja e legjitimitetit në sytë e qytetarëve dhe rrjedhimisht blerja e fuqisë reale të tij. Edhe kjo është një cilësi themelore për funksionimin e shtetit si strukturë. Por kjo duhet të ndodhë në mënyrë organike dhe jo e mëkuar nga mediat e kontrolluara nga opozita, apo nga propaganda e pseudo të parreshtuarve. Të gjithë i kemi parë 500 000 shqiptarë në shesh më 8 dhjetor, të cilët jo vetëm që nuk protestonin kundër “zaptuesve të shtetit” siç do të dëshironte opozita, po brohoritnin për ditën e lirisë. Edhe sikur ata të mos ishin aty shprehimisht për të mbështetur qeverinë-argument pak qesharak në vetvete-në mënyrë jo të drejtpërdrejtë prania e tyre paqësore e brohoritëse tregon se qeveria e ka legjitimitetin të pacenuar. Së treti, opozita nuk e ka dërguar çështjen e kutive në Gjykatën Kushtetuese, siç dërgoi për shembull marrëveshjen e kufijve me Greqinë. Arsyeja sipas tellalleve të saj është se nuk mund t’i besojë gjykimit të juristëve shqiptarë, ashtu si Gore i besoi gjykatësve Scalia, Thomas dhe Breyer. Paraleli midis gjyqësorit të SHBA dhe atij shqiptar për të denigruar aftësitë e brendshme juridike është tipik i dikujt që i vjen turp nga të qenit shqiptar dhe gjithsesi jo logjikisht i qëndrueshëm. Askush nuk e vë në dyshim aftësinë dhe intelektin e shkëlqyer të Thomasit apo Scalias. Madje ata përbëjnë la crème de la crème të klasës juridike amerikane, e cila është nga më të arrirat në botë. Por të kapërcesh nga ky pohim e të thuash që e gjitha klasa juridike shqiptare është e pazonja vetëm sepse nuk janë aq të arrirë sa këta gjykatësit amerikanë është arabeske logjike. Për më tepër që argumenti ligjor nuk është fort i koklavitur që të kërkojë interpretime me përllogaritje ajnshtajniane. Nuk ka ankimim-nuk ka bazë ligjore për rishqyrtim të kutive. është e shkruar e zeza mbi të bardhë në Kodin Zgjedhor. Për sa i përket përzgjedhjes së gjykatësve, Kodi Elektoral shqiptar e ka të përcaktuar se kush i përzgjedh gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor. Pozita, ashtu si edhe opozita, përzgjedhin gjykatësit që dëshirojnë dhe kanë të drejtë të përjashtojnë ata që ju duken si të anshëm. Ndërsa përzgjedhja e trupit gjykues për ankesat bëhet me short. Pra nuk ka vend për argumentin e “njëanshmërisë” së gjykatësve. Sigurisht që Rama ja ka gjetur shtegun edhe kësaj duke thënë se të gjithë gjykatësit, numëruesit, komisionerët, vëzhguesit e OSBE-se deri edhe Alcee Hastings i Kongresit Amerikan janë të korruptuar! Madje Ramës nuk  duhen as ndërkombëtarët dhe ka gjasë që më ketë turr shumë shpejt të quajë të korruptuar apo të frikësuar nga Berisha ambasadorë të vendeve të rëndësishme, të cilët po i bëjnë thirrje për të mbyllur bojkotin.  Dulcis in fundis, argumenti i demokracisë përkundër shtetit. Opozita tenton të manipulojë opinionin publik, duke pretenduar se nuk po kërkon ndryshim të rezultatit por transparencë demokratike. Në të njëjtin paragraf ama vjen thirrja për revolucion për të përmbysur shtetin, kinse shteti është i Berishës e jo i të gjithë shqiptarëve! Nuk ka asnjë kusht për të minuar shtetin ligjor sot në Shqipëri. Zgjedhjet u bënë, vëzhguesit ndërkombëtarë i cilësuan si më të mirat e historisë së pluralizmit në Shqipëri, shtypi opozitar është të paktën dy herë më i madh se sa shtypi që mbështet qeverinë, protestat e çadrave që na kujtuan zborin u bënë pa pikën e ndërhyrjes nga qeveria. Pra, liria e shprehjes së pakënaqësisë për humbjen është respektuar dhe është legjitime. Por po aq legjitime dhe e paprekshme është e drejta e popullit shqiptar për të pasur një shtet të fortë, me institucione të qëndrueshme, të cilat nuk i thyen presioni cinik i një njeriu te etur për pushtet. Populli ka një shprehje që thotë: mos i bëj hesapet pa hanxhinë. Me zgjatjen absurde të protestave të administratës së Bashkisë, Rama po fakton që nuk është as zëdhënësi i halleve të popullit, e as përçuesi i ideve të përparimit. Thjesht kërkon pushtet më të gjitha mënyrat, por në demokraci këtë mund ta fitosh vetëm me votë. Burrat e shtetit e dinë këtë, politikanët seriozë e zbatojnë këtë, a do ta kuptojë këtë kreu i opozitës?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›