Aksident në Rubik, plagosen katër të rinj
Rrëshen- Një aksident rrugor u regjistrua dje pasdite në Rubik, ku si pasojë mbetën të plagosur katër të rinj. Lajmin e bënë të ditur për gazetën burime pranë policisë rrugore, sipas të cilave makina me të cilën po udhëtonin katër të rinjtë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Sipas të njëjtave burime, 4 të aksidentuarit u dërguar me urgjencë në spital, ku nga kontrollet e para mjekësore rezultoi se janë jashtë rrezikut për jetën. Burimet shtuan se dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia e lartë.
Itali, thikë pas një sherri të riut shqiptar
Një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur dje pasdite në Itali, pas një sherri që shpërtheu në një bar në periferi të qytetit të Milanos. Lajmin e bënë të ditur mediat italiane, sipas të cilave i riu shqiptar ndodhet në gjendje të rëndë pasi u godit me thikë në gjoks dhe bluzat e bardha po bëjnë gjithçka për ta shpëtuar. Sipas burimeve, i plagosur ka mbetur edhe një shqiptar tjetër që ndërhyri për të mbrojtur shokun e tij. Burimet shtojnë më tej se shkaqet e sherrit mes shqiptareve janë ende të paqarta dhe se për zbardhjen e tyre po hetohet nga policia.
Greqi, vdes në aksident 47- vjeçarja shqiptare
Një 47-vjeçare shqiptare ka humbur jetën dje në Greqi si pasojë e një incidenti të ndodhur në vendin ku punonte. Sipas informacioneve të raportuara në mediat greke, ngjarja ka ndodhur në një hotel të ishullit Ko, ku 47-vjeçarja Mimoza Karshiu u bë viktimë e një aksidenti në ashensor. Policia po heton mbi ngjarjen për të zbardhur rrethanat e saj, dhe ka ndaluar për të marrë në pyetje pronarin e hotelit dhe teknikun e ashensorit, që ra nga një lartësi e konsiderueshme, duke shkaktuar vdekjen e emigrantes shqiptare.
Burrel, hedhja e mbeturinave rrezik për banorët
Burrel- Hedhja e mbeturinave të qytetit të Burrelit në komunën Komsi, prej kohësh është kthyer në një problem shqetësues. Bashkia e Burrelit ka caktuar një vend grumbullimi pranë varrezave të dëshmorëve, por duket se kjo nuk ka qenë zgjidhja më e mirë. Rreziku është serioz për banorët e zonës përreth, pasi era e rëndë dhe djegia e mbeturinave shkakton mjaft probleme për shëndetin e tyre. Më të rrezikuarit janë banorët që për shkaqe ekonomike detyrohen të mbledhin materiale mes mbeturinave, të cilat më pas i shesin për pak të ardhura. Ndërsa të tjerë lejojnë dhe bagëtitë të kullosin pranë vendgrumbullimit, pa marrë parasysh mundësinë e ndonjë materiali shpërthyes.
18 Qershor 2009