E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendrat sociale, zgjidhja për “pastrimin” e rrugëve nga lypsarët



Megjithëse në vendin tonë ekzistojnë disa shoqata apo qendra që japin ndihmë për personat në nevojë, vihet re se këto qendra nuk janë tepër të frekuentuara nga lypsarët mashtrues. Duke qenë se problemet sociale në vend janë më të thella dhe të përhapura në të gjitha rrethet, prezenca e këtyre qendrave duhet të jetë më e madhe dhe me filiale në çdo qytet, pasi vetëm kështu mund të realizohej disi “pastrimi” i rrugëve nga lypësit. Një mbështetje e tillë nga institucionet shtetërore do të bënte që personave në nevojë t’u shtohet besimi dhe mbështetja. Nëpërmjet këtyre qendrave frekuentuesit do të kenë mundësinë të njihen me shoqëri të re dhe të marrin një profesion që mund ta përdorin edhe jashtë qendrës për arsye përfitimi, për të mbajtur familjen. Aktualisht Bashkia e Tiranës ka çelur shtatë qendra ditore për kategoritë në nevojë, të cilat janë në funksion të personave me aftësi të kufizuar, të fëmijëve të rrugës, të moshës së tretë etj. Bashkia parashikon ngritjen e një Qendre Ditore Polifunksionale, ku do të trajtohen dhe mbështeten kategori të ndryshme, si: të rinjtë, gratë, të moshuarit. Në qendër të shërbimit do të jetë familja me probleme dhe kthimi i saj në normalitet, pas situatave të tilla, si: kriza ekonomike, çifte që divorcohen, prindër të papunë, fëmijë që lindin në momente krizash familjare, fëmijë me probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor, familje të reja me probleme sociale etj.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›