Ishte shpallur në kërkim për largim nga vendi i aksidentit, ndalohet nga policia
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë mundësuar kapjen e të shpallurit në kërkim, Klevis Koraqi, 26-vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Korçës, pasi ndaj tij rëndon akuza e largimit nga vendi i aksidentit rrugor për të cilin dyshohet se është shkaktuar prej tij. Sipas të dhënave policore për këtë person, ai rezulton të jetë dënuar edhe më parë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Konkretisht, ai ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e Korçës me vendim nr. 1121 të datës 01 tetor 2008 e ka dënuar me 8 ditë burg për veprën penale të “Largimit nga vendi të aksidentit”, parashikuar nga neni 273 i Kodit Penal.
Aksidenti, plagoset rëndë 20-vjeçari shkon për ndjekje penale si përgjegjës
Shkodër – Një 20-vjeçar për pak ka rrezikuar jetën pasi motori me të cilin ai po udhëtonte u përplas me një makinë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur Kompleksi i Zmijanve, kur Mirsad L., 20-vjeç, ka qenë duke udhëtuar me mjetin motoçikletë tip-Piago, me targa SH 454 D, por si rezultat i një parakalimi të gabuar, është përplasur me mjetin tip-Volksvagen, me targa SH 2824 D, që drejtohej nga 47-vjeçari S.D. Për pasojë drejtuesi i motoçikletës, Mirsad L. ka pësuar dëmtime trupore duke thyer këmbën dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku ka kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të 20-vjeçarit Mirsad L. do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit për veprime të mëtejshme.
Nxirret nga liqeni trupi i pajetë i 23-vjeçarit
KRUJË- Nxirret nga ujërat e liqenit trupi i pajetë i 23-vjeçarit, i cili u mbyt dy ditë më parë në liqenin e Bacungut në rrethin e Krujës. Forcat e RENEA-s pas shumë orë kërkimesh kanë nxjerrë trupin e pajetë të Flamur Hasanit, rreth orës 13:30 të së mërkurës. 23-vjeçari Hasani, kishte shkuar bashkë me vëllezërit e tij dhe me disa shokë për tu larë në liqen mesditën e së martës, por pas zhytjes në thellësi nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe duke gjetur vdekjen. Të shqetësuar, vëllezërit dhe shokët kanë dhënë alarmin duke njoftuar menjëherë policinë e cila pas mbërritjes në vendngjarje kërkoi dhe ndihmën e polumbarëve nga Tirana, të cilët mesditën e sotme nxorën nga uji trupin e të riut 23-vjeçar.
18 Qershor 2009