E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja godet 18 herë me thikë pronarin e vilave ku punonte



Kavajë– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur një person, i cili punonte si roje në një kompleks vilash ka goditur për vdekje plot 18 herë me thikë pronarin e tij. Burimet policore bëjnë të ditur se viktima e këtij akti është 61-vjeçari Pajtim Selmanaj, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes, është Halil Buletini.
Ngjarja
Pronari i një kompleksi vilash në plazhin e Qerretit të Kajavës është vrarë nga roja i tij pak pas mesnatës së të martës. Policia e qarkut të Durrësit thotë se viktima Pajtim Selmanaj është qëlluar me thikë nga 46- vjeçari Halil Buletini. Autori ishte banor i fshatit Qerret dhe biznesmeni nga Tirana e kishte punësuar për të ruajtur kompleksin e vilave në bregdetin e Kavajës. Viktima është dërguar menjëherë në spitalin rajonal, por për shkak të numrit të madh të plagëve të marra nga 18 goditje me thikë, 61 vjeçari nga Tirana nuk ka mundur ti shpëtojë vdekjes.
Policia ka mundur të arrestojë autorin Halil Buletini, dhe bën të ditur se 46-vjeçari kurohej si i sëmurë mendor. Policia tha se Buletini mund ta ketë kryer vrasjen në kushte të rënda të tronditjes psikike.
Hetimi
Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale. Ndërkohë po punohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Kavajë, për sqarimin e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje. Tashmë autori Halil Buletini është arrestuar nga policia dhe ai ka pranuar se e ka kryer krimin e rëndë, pa iu shmangur autorësisë së tij. Ndërsa pronari i kompleksit të vilave, që mbeti i vrarë pas plot 18 goditje thikash, mësohet se ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit, pa mundur t’u rezistojë dot atyre. Sipas hetimit, Buletini ka goditur disa herë me armë të ftohtë thikë, në pjesën e trupit, 61-vjeçarin Pajtim Selmani, banues në Tiranë. I plagosuri, si pasojë e plagëve të shumta të marra në trup, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Durrësit, rreth orës 03:00 të së mërkurës. Paraprakisht, policia tha se dyshohet se kjo vrasje ka ndodhur për motive të dobëta.

RENEA, operacion simulues për kapjen e terroristëve

VLORE- Forcat RENEA kanë finalizuar stërvitjen në Vlorë në një operacion të improvizuar, synimi i të cilit ishte lirimi i një prej trageteve nga forca terroriste. Në operacion janë mobilizuar mbi 80 forca në bashkëpunim me policinë franceze. Të pranishëm në Vlorë kanë qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, përfaqësues të Ambasadës Franceze, prefekti i qarkut si dhe drejtues të forcave kufitare. Përfaqësuesit e ambasadës franceze, pjesë e bashkëpunimit në këtë operacion,kanë vlerësuar performimin e forcave shqiptare, duke u shprehur të hapur për bashkëpunime të tjera. Gjatë operacionit forcat RENEA, në një situatë simuluese kanë nxjerrë në pak minuta një grup terrorist, të cilët janë shoqëruar nga mjetet drejt ambienteve të portit.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›