Aksident në superstradë, një vdes
LAÇ - Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi pasditen e djeshme në superstradën Fushë Krujë-Laç. Makina "Benz", e drejtuar nga Tonin Lala, punonjës i policisë pranë KSHA-së në Laç u përplas me një fuoristradë që drejtohej nga Pal Totrri, rreth 50 vjeç. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Rrah i Pashës, ndërsa dy mjetet po udhëtonin përballë njëri-tjetrit. Dy të plagosurit, Tonin Lala dhe Pal Totrri janë dërguar në spitalin e Laçit, në gjendje kritike për jetën dhe prej andej në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Gjatë transportit drejt këtij spitali, Totrri ka gjetur vdekjen. Policia e Kurbinit, bashkë me Prokurorinë e rrethit kanë mbërritur në vendngjarje për të analizuar shkaqet e aksidentit. Dyshohet se parakalimi i një prej mjeteve ka shkaktuar përplasjen fatale. Të dy makinat kanë përfunduar në kanalin buzë rruge si pasojë e goditjes, duke u provokuar vdekja e 50-vjeçarit. r.n