E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Ja pse vonohet njohja e diplomave të huaja

 

zirina llambro

Mbarojnë jashtë vendit shkollën me shpresën se dyert do t'i gjejnë hapur kur të kthehen, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Barrierën e parë e hasin që tek diploma. Për të aplikuar në një vend pune sidomos në administratën publike, fillimisht ajo duhet t'u njihet nga Ministria e Arsimit. E që të përfundojë kjo procedurë minimalisht duhen 3 muaj. Ky afat vetëm nëse nuk ka mangësi dokumentacioni, në të kundërt njohja e diplomës mund t'u hajë deri në 2 vjet kohë studentëve. Gjatë këtij harku, veç zhgënjimit në jo pak raste, u humbin edhe shanset për t'u punësuar. Ankesat për burokracitë e hasura në procedura e dokumentacion kanë qenë të shumta, qoftë në Ministrinë e Arsimit, qoftë publike. Sipas studentëve që u është vonuar njohja e diplomave, mungesa e informacionit ka qenë ndër arsyet kryesore. Por MASH jep të tjera argumente sipas specialistëve të këtij dikasteri, shkak për vonesat janë bërë mangësitë në dokumentacion. "Afati kohor ligjor për njohjen e një diplome të huaj është 3 muaj, nëse dokumentacioni i dorëzuar është i legalizuar në përputhje me udhëzimin e ministrit për procedurat e njohjes së diplomave. Kjo kohë është e domosdoshme për verifikimin dhe konfirmimin nga institucionet që e kanë lëshuar diplomën", sqaron drejtoresha e sektorit të njohjes së diplomave në MASH, Elida Hoxha.
Problemet
Sipas specialistëve të MASH-it, nëse ka probleme si: mungesë e një përgjigjeje të institucionit që ka lëshuar diplomën, mungesë e legalizimit të diplomës, apo mosplotësim të kritereve që kërkohen nga MASH për njohjen e diplomave, atëherë ky afat shkon edhe më tepër. Por për ata studentë që kanë kaluar këtë kalvar ministria shpesh ka pretendime absurde. "Kur kam aplikuar për njohje diplome më kanë kërkuar që dosja personale të vulosej në çdo faqe. Kjo në kohën kur vula e universitetit ishte në faqen e parë të saj. Ishte e vështirë të merrja vizën e të shkoja prapë në Itali për të kryer këtë procedurë. Madje, administratës atje ju duk absurde, vula në çdo faqe", pohon Entela, e cila ka mbaruar në Itali universitetin. Ndërkaq sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, miratimi i udhëzimit për njohjen e diplomave ka lehtësuar procedurat. "Si specialistët dhe komisioni për njohjen e diplomave është duke punuar me përparësi për procedimin e një numri sa më të madh të aplikimeve, me qëllim që mos t'i pengojmë aplikantët për punësim", nënvizon Elida Hoxha. Nga sa bëhet me dije, të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me vulën apostille, ose nga ambasada shqiptare. Ata aplikantë që nuk kanë marrë vulën apostille, apo legalizimin nga ambasada shqiptare, mund të provojnë të kontaktojnë dhe të procedojnë me postë. Në shumicën e shteteve, legalizimi kryhet me vulën apostille. Në 5 shtete si Gjermani, Itali, Greqi, Belgjikë dhe Spanjë, për shtetasit shqiptarë nuk aplikohet vula apostille. Në këto 5 shtete legalizimi kryhet në ambasadën shqiptare. Në Itali, ambasada shqiptare e legalizon pasi është kryer legalizimi në prefekturën italiane. Në Greqi, ambasada jonë legalizon pasi është kryer legalizimi në Ministrinë e Jashtme të Greqisë. "Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar vetëm për ato raste kur konfirmohet nga Sektori i Njohjes mundësia e konfirmimit me mjete alternative", sqaron Ministria e Arsimit.

Dokumentet e nevojshme

Fotokopja e noterizuar e diplomës së legalizuar

Lista e noterizuar e notave (e legalizuar)       
Dokument identiteti (certifikatë & foto pasaporte)
Mandatpagesa - Reifessen Bank
Formati i aplikimit i plotësuar
Dy fotografi                                   
(Mungesa e një dokumenti më sipër shkakton mosshqyrtimin e kërkesës së paraqitur)

Dokumente të tjera për procedurën

Programi zyrtar i detajuar i studimeve dhe i konfirmuar nga përfaqësuesi akademik vetëm në rastet që kërkohet nga komisioni;
Suplementi i diplomës;                           
Prova e ndryshimit të emrit, në qoftë se emri juaj tani është i ndryshëm nga emri në diplomën e kualifikimit - p.sh.,            
Çertifikatë martese - (nëse dëshironi);
Dokument tjetër që kërkohet nga Sektori i Njohjes

Ankimimi

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, aplikanti ka të drejtë të bëjë ankimim. "Kur ankimimi ka objekt vendimin e fakultetit, ai kryhet tek komisioni i Njohjes. Në raste kur objekt i ankimimit është vendimi i komisionit të Njohjes në MASH, ankimimi kryhet tek ministri i Arsimit dhe Shkencës. Ankuesit i kthehet përgjigje brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së ankesës", përcakton udhëzimi. Sipas tij, aplikanti mund të bëjë ankesë edhe në rast vonese të paarsyetuar. Në rastet kur vonesa ka ardhur jashtë përcaktimeve në këtë udhëzim dhe si rezultat i mosveprimit të autoritetit shqyrtues, merren masat konform Kodit të Procedurave Administrative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›