Pranga dy adoleshentëve, kapen duke shkatërruar pusin e naftës
Dy të rinj nga Marinza e Fierit janë prangosur mesditën e së hënës në kushtet e flagrancës, duke tentuar vjedhjen e kullës së një pusi. Kanë qenë rojet private të kompanisë kanadeze, "Banker Petroleum", ata që kanë identifikuar të rinjtë dhe më pas kanë lajmëruar policinë e rendit. Këta të fundit i kanë arrestuar adoleshentët në kushtet e flagrancës dhe u kanë vënë prangat atyre nën akuzën e shkatërrimit të pronës. Nevoja për punë, si dhe ajo e dëshirës për disa të holla më shumë, kanë detyruar një 20-vjeçar dhe një 18-vjeçar që t‘u drejtohen puseve të naftës që kanë pranë fshatit ku dhe banojnë, Marinzës. Duke shfrytëzuar dhe kohën e keqe me shi të vazhdueshëm, dy të rinjtë, të cilët janë Arben Nurka 20 vjeç dhe Lefter Zyka 18 vjeç, kanë marrë një sharrë dhe disa mjete prerëse dhe i janë drejtuar pusit të naftës që mban numrin 854 e që e kishin vetëm 200 metra larg shtëpisë. Pasi kanë tentuar të presin një pjesë të kullës, si dhe disa tubacione të tjera, Nurka dhe Zyka kanë hapur saraçineskën kryesore nga ku dilte nafta bruto prej thellësisë së pusit. Në tentativë për të vijuar "aksionin" e tyre, dy të rinjtë janë pikasur nga rojet private të kompanisë së huaj, pikërisht nga rojet që patrullojnë zonën e shfrytëzueshme në mënyrë të pandërprerë. Rojet mësohet se kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Fier. Menjëherë drejt Marinzës dhe pusit me nr. 854 është nisur furgoni i grupit të gatshëm, punonjësit e të cilit kanë bërë rrethimin e pusit dhe i kanë kapur të rinjtë në kushtet e flagrancës. Të rinjve u është komunikuar në moment akuza e shkatërrimit të pronës. Burimet zyrtare të policisë thonë se për shkak të saraçineskës së pusi që autorët kishin hapur, është derdhur naftë bruto, e cila është përhapur në një sipërfaqe të madhe rreth e rrotull pusit të naftës.
Ma. Tro.
Ma. Tro.