Aksident te Ministria e Mbrojtjes,vdes kalimtari, në kërkim autori
TIRANE - Një kalimtar i moshuar humbi jetën dje në orët e para të mëngjesit, pasi është përplasur nga një makinë në qendër të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Një mjet tip “Benz” që qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nga Sheshi “Skënderbej” në drejtim të urës së madhe të Lanës, ka përplasur për vdekje Fuat Mehmetin, 64 vjeç, i cili ka rënë sipër makinës dhe është përplasur në asfalt pa jetë. Ngjarja është parë nga dhjetëra dëshmitarë, të cilët kanë qenë në lëvizje gjatë të shtunës duke gdhirë e diela, si pjesëtarë të mitingut të Partisë Socialiste. E megjithëse është parë nga sytë e dhjetëra dëshmitarëve, drejtuesi i mjetit nuk ka bërë përpjekjen më të vogël që të ndalojë për t’i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit, por është larguar po me të njëjtën shpejtësi. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, të cilët kanë identifikuar shumë shpejt të aksidentuarin. Burimet shpjeguan se 64-vjeçari i aksidentuar për vdekje mëngjesin e djeshëm, është Fuat Mehmeti, i cili është dërguar në murgun e kryeqytetit. Sipas policisë goditja që ai ka marrë nga makina ka qenë tepër e fortë dhe njëkohësisht edhe përplasja me asfaltin pasi është rrotulluar sipër makinës, gjë që i ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë paraprakisht dyshohet se i moshuari Fuat Mehmeti, mund të ketë qenë pjesëtar në grupin e protestuesve të vendosur në çadrat e ngritura para Kryeministrisë, gjatë tubimit 3-ditor të Partisë Socialiste, por ende nuk ka të dhëna të sakta për këtë. Ndërsa personi që i shkaktoi vdekjen 64-vjeçarit ende nuk është identifikuar nga policia, për shkak se shpejtësia me të cilën po drejtonte automjetin, nuk iu ka dhënë mundësinë dëshmitarëve që të fiksojnë targën. Mësohet se pas aksidentit ai është drejtuar nga Bulevardi “Bajram Curri”. e.d