Vrasja në Lezhë, gjendet makina e autorit
LEZHE – Policia bllokon makinën e autorit të vrasjes së Gjon Përvathit, ndërsa nuk është bërë akoma ndalimi i tij. Burimet zyrtare pohuan dje se mjeti “Benz”, i Ndue Lekgjonajt, nga u qëllua mbi 50-vjeçarin Përvathi, duke e lënë atë të vdekur e të plagosur kushëririn e të birin, u gjet e braktisur në një përrua në fshatin Manati. Forca të policisë po vazhdojnë ndjekjen e autorit, i cili duket se ka gjetur strehë në zonat e thella të Lezhës. Gjatë ditës së djeshme u përcoll për në banesën e fundit çifti Përvathi, burri i vrarë dhe e shoqja e tij, Martine, e cila u vetëhelmua në të njëjtën ditë kur ndodhi krimi. Për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, djali 14-vjeçar ka lënë dje spitalin, bashkë me kushëririn, Gjergj Përvathin. Mësohet se gjatë ditës së djeshme, policia ka qëndruar në fshatin Manati, për të shmangur çdolloj ngjarje apo incidenti që mund të krijohej. Gjon Përvathi u qëllua me armë zjarri, në një pritë të organizuar nga autori, banor i të njëjtit fshat me viktimën. Përvathi kishte vetëm pak ditë që kishte lënë burgun, pasi u dënua për veprën penale të kanosjes me armë të fqinjit si dhe kundërshtimit të forcave të policisë kur shkuan ta arrestonin atë. Në lidhje me dënimin e tij mësohet nga burime të policisë së Lezhës se sot pritet të mbërrijë në Gjykatën e Lezhës një grup kontrolli. Ekspertë nga Ministria e Drejtësisë do të verifikojnë mënyrën dhe dënimin e dhënë për Përvathin, i cili kaloi në burg rreth 18 muaj, pavarësisht akuzave që rëndonin mbi të. r.n