Tragjedi nga bombola, vdesin dy vajza
BERAT/ DILAVER XHELILI
Shpërthimi i një bombole gatimi dje në mëngjes shkaktoi tragjedi në një familje beratase. Dy vajza të familjes me 6 anëtarë humbën jetën nga asfiksia e flakët brenda në banesë, ndërsa katër të tjerë, fëmijët dhe prindërit, pësuan plagë të rënda dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 08:00 kur në lagjen “Muzakaj” u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Si rezultat i shpërthimit të bombolës, flakët përpinë menjëherë ambientet e brendshme të shtëpisë. Kanë qenë fqinjët ata që njoftuan menjëherë zjarrfikësen dhe policinë. Ata nxituan t’iu jepnin ndihmë viktimave që ndodheshin në mes të flakëve, duke bërë të mundur fillimisht nxjerrjen jashtë të kryefamiljarit Artur Kajo, 43 vjeç si dhe bashkëshorten e tij 37-vjeçare, Mimoza Kajo. Të ndihmuar edhe nga forcat e policisë që mbërritën në vend pas pak momentesh, fqinjët e viktimave arritën të nxjerrin të gjallë nga gërmadhat edhe dy fëmijët, Ylsjonin 12 vjeç dhe Fionën 5 vjeçe. Për fat të keq, dy vajzat e tjera të kësaj familjeje nuk arritën të shpëtonin. Sipas policisë, Kelima Kajo, 15 vjeçe dhe Megi Kaja 5 vjeçe ndodheshin në një dhomë ku ishte e pamundur të depërtoje. Si rezultat i flakëve dhe tymit ato janë asfiksuar dhe kanë gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes mbërritën pas sinjalit të dhënë edhe forca të shumta të repartit të zjarrfikëses. Ata janë përpjekur të neutralizojnë flakët, por pa mundur dot të shpëtojnë dy vajzat që ishin shkrumbuar nga flakët. Rreth 3 orë pas shpërthimit dhe shuarjes së flakëve, u bë e mundur nxjerrja nga banesa e trupave të dy vajzave, të cilat të asfiksuara kishin mbetur në rrënojat e banesës së shkrumbuar. Të plagosurit, bashkëshortët Artur e Mimoza Kaja dhe fëmijët e tyre janë dërguar fillimisht në spitalin rajonal të qytetit të Beratit. Ata ishin në gjendje shumë të rëndë si pasojë e djegieve në të gjithë trupin. Pas dhënies së ndihmës së parë, mjekët e këtij spitali, konstatuan se djegia e babait dhe djalit të vetëm i përkiste shkallës së tretë ndaj ata vendosën t’i dërgonin me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës për një ndihmë mjekësore më të specializuar.
Mësohet se Mimoza Kajo, 37 vjeçe është ndodhur tek porta e shtëpisë kur ka dëgjuar shpërthimin. Ajo ishte nisur për të bërë pazaret e ditës, por është kthyer menjëherë për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të saj. Gruaja është drejtuar menjëherë te dhoma ku flinin 4 fëmijët e saj në katin e parë të banesës. 37-vjeçarja është detyruar të futet në mes të zjarrit pasi gjithçka kishte marrë flakë shumë shpejt. Vetëm fëmija 12 vjeç, Ylsjoni dhe njëra nga vajzat binjake, Fiona kanë arritur të shpëtohen. Dhoma pa dritare ka ndërlikuar operacionin e shpëtimit e për pasojë, dy vajzat e tjera të kësaj familjeje nuk arritën t’i mbijetonin tragjedisë.
Pas normalizimit të gjendjes menjëherë grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që tronditi qytetin e Beratit. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi 10 litërsh. Gazi ka rrjedhur gjatë natës dhe kur njëri prej fëmijëve tentoi të ndezë bombolën, ajo ka shpërthyer duke sjellë edhe tragjedinë.
Fqinjët, të tronditur nga ngjarja
Tragjedia e ndodhur në lagjen “Muzakaj” shkaktoi panik te banorët. Ata shkruan të ndihmonin familjen, por për fat të keq, dy anëtarë të saj nuk mundën t’i shpëtonin. “Isha duke pastruar oborrin kur dëgjova një shpërthim të fuqishëm. Menjëherë hapa portën për të parë se nga erdhi ky shpërthim. Kur dola tek porta pashë një shtëllungë tymi që po dilte nga shtëpia e Artur Kajos. Në këtë moment dëgjova edhe klithmat e fëmijëve dhe nënës së tyre që thërrisnin për ndihmë. Njoftova zjarrfikësit. E kam përjetuar këtë ngjarje me dhimbje të madhe në shpirt. Jemi tronditur të gjithë si komshinj të tyre pasi ishte një tragjedi e rëndë, por në ato momente ishim të pafuqishëm që t’i ndihmonim, pasi flakët nuk të lejonin të afroheshe”, u shpreh Fatime Srevani.
Kryebashkiaku Nasufi: Do të ndihmojmë familjen
Veç personelit zjarrfikës dhe policisë, në vendin e tragjedisë mbërritën edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, prefekti Kostandin Lefto dhe përfaqësues të shoqatave dhe institucioneve shtetërore mbërritën për të parë situatën nga afër. Kryebashkiaku Nasufi, pasi shprehu keqardhjen për humbjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e katër të tjerëve në familjen Kajo shprehu mbështetjen e tij për të ardhmen e të mbijetuarve. “Bashkia do të ndihmojë financiarisht familjen Kajo. Kemi ngritur një grup të sektorit të emergjencave, për të kryer të gjitha veprimet dhe përllogaritjet me qëllim për të ndihmuar këtë familje, banesa e së cilës është shkrumbuar komplet”, u shpreh Nasufi. Në ndihmë të familjes Kajo janë shprehur edhe disa shoqata që kryejnë veprimtari në këtë qark, për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpisë. Aktualisht, mjekët po përpiqen që të shpëtojnë jetën e babë e bir, të cilët ndodhen në gjendje më të rëndë në spitalin e Tiranës. Kjo ngjarje ka tronditur banorët e zonës, të cilët thonë se shtëpia e familjes Kajo ndodhet në fund të një rrugice të ngushtë, çka ka vështirësuar dhe punën e zjarrfikësve për të shkuar në shtëpinë që po digjej. Edhe dy vajzat që humbën jetën ndodheshin në një dhomë pa dritare, çka ka bërë që zjarri aty të ishte më i fuqishëm.