Aksident tragjik ne Elbasan

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e tre të rinjve dhe plagosjen e tre të tjerëve ka ndodhur në rrugën nacionale Elbasan –Librazhd në dalje të Elbasanit në afërsi të Urës së Lizës. Një “Mini Kuper” me targë të huaj CF 576 EN i drejtuar nga Spartak Bakalli 25 vjeç është përplasur me një shtyllë betoni e për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend drejtuesi i automjetit Spartak Bakalli dhe Leonard Xhaferri ndërsa ka ndërruar jetë pak minuta më vonë në reanimacionin e spitalit kirurgjik Taulant Haxhiaj 26 vjeç.
Nga ky aksident mbetën të plagosur edhe të rinjtë Indrit Kasa 19 vjeç, Robert Karaj 24 vjeç dhe Serjan Tafani 28 vjeç të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë në spitalin kirurgjik të Elbasanit janë dërguar për shërbim më të specializuar në spitalin ushtarak në Tiranë. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe grupi hetimor. Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e këtij aksidenti, por sipas të dhënave paraprake rezulton se drejtuesi i “Mini Kuperit” ka humbur kontrollin e drejtimit të tij duke u përplasur dhunshëm me pjesën e betonit. Ky ishte aksidenti i dytë brenda pak orëve i ndodhur në Elbasan. Më herët një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor Elbasan-Peqin në fshatin Vidhas ku një kamion me targë të Beratit përfshiu nën rrota të moshuarën Ike Zhakoji. Me gjithë masat e marra nga policia e qarkullimit rrugor sërish janë regjistruar aksidente me pasoja për jetën në këtë qytet.