Aksident tragjik në Itali, shuhet familja shqiptare me tre anëtarë
ROME/ITALI Një aksident tragjik, me pasojë vdekjen e tre pjesëtarëve të një familjeje shqiptare, ndodhi mëngjesin djeshëm në kryeqytetin italian. Sipas mediave italiane, makina që drejtohej nga babai, ku ndodheshin edhe nëna dhe vajza e mitur vetëm 4 vjeçe, ka humbur kontrollin nga era e fortë dhe është përplasur me një pemë disa metra poshtë rrugës, në periferi të Romës. Bashkëshorti 28-vjeçar, me origjinë nga provinca Fiori, në periferi të kryeqytetit italian dhe gruaja 30-vjeçare nga qyteti i Lushnjës në Shqipëri, kanë mbetur të vdekur në vend. Ndërsa vajza e vogël është transportuar në gjendje mjaft të rëndë në spitalin San Giovanni di Dio, në Fondi të Romës, por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të rënda. Niko Fiore, 28 vjeç dhe Shkurte Shoti, 30 vjeç, janë nxjerrë nga automjeti pa jetë. Vetëm një orë më pas ka humbur jetën edhe vajza e tyre, Denisa, 4-vjeçare, e cila ndodhej në ndenjësen e pasme të automjetit në kohën e përplasjes. Policia italiane ka nisur menjëherë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik që u mori jetën tre pjesëtarëve të një familjeje. Paraprakisht, si shkak i aksidentit është përcaktuar humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi për shkak të erës së fortë.