KE rekomandime për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve
TIRANE Këshilli i Europës, nëpërmjet organizmave të tij, do të përcjellë rekomandime dhe sugjerime konkrete lidhur me kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve në Shqipëri. E gjitha kjo do të bëhet në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit. Fakti në fjalë u bë i ditur në një takim pune mes zëvendësministres se Drejtësisë, Brikena Kasmi, drejtoreshës Politike të Këshillit të Europës, Claudia Luciani dhe shefit të zyrës së KiE-së në Tiranë, Marco Leidekker. Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë pohuan dje se pritja e Luciani-t dhe Leidekker-it nga zv.ministrja e Drejtësisë u bë me rastin e hapjes së zyrës së përfaqësimit të Këshillit të Europës në Shqipëri. Një pjesë të rëndësishme të këtij diskutimi e kanë zënë problematikat prezente në Gjyqësorin shqiptar, veçanërisht lidhur me imunitetin e gjyqtarëve. Mes palëve u ra dakord që Këshilli i Europës, nëpërmjet projektit të përbashkët me Komisionin Europian PACA, që aktualisht asiston Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, të përcillen rekomandime dhe sugjerime konkrete lidhur me kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve ne kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit, njoftuan dje burimet. Nga ana e saj, zëvendësministrja Kasmi ka theksuar se një nga prioritetet e përcaktuara në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit është lufta kundër korrupsionit. Prandaj ne duhet të shembim të gjitha muret që e pengojnë këtë luftë. Imuniteti ekziston si garanci e ushtrimit të detyrës dhe veprimit lirisht të gjyqtarit. Por kjo garanci nuk mund të funksionojë në kushtet e shpërdorimit të kësaj detyre, mësohet të jetë shprehur Kasmi. Gjithashtu, gjatë takimit janë diskutuar edhe çështjet të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut lidhur me pronat. Burimet sqaruan se Luciani u njoh me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 29 prill 2011. VKM-ja në fjalë miraton Raportin e Planit të Veprimit që pala shqiptare duhet të prezantojë pranë Këshillit të Europës mbi situatën në Shqipëri, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me të drejtat e ish-pronarëve për kthimin dhe kompensimin e pronës. ar.ba