Ish-ushtarakët, Gjykata Kushtetuese cakton datën e shqyrtimit të ligjit të pensioneve
Jonida Tashi
Gjykata Kushtetuese vendos datën e shqyrtimit të ligjit të pensioneve, të kundërshtuar nga ish-ushtarakët. Sipas njoftimit zyrtar që Kushtetuesja i ka dërguar dje Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, ligji për trajtimin financiar të kësaj kategorie do të diskutohet në datën 3 nëntor, ditë në të cilën pritet të dalë edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës për këtë çështje. Konkretisht, në njoftimin zyrtar me të cilin Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Shoqatës së Ushtarakëve thuhet se shqyrtimi i ligjit të ri për pensionet e ish-ushtarakëve do të bëhet me objekt shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky fakt ka qenë një lajm i shumëpritur edhe nga vetë drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve, pasi një nga pikat kundërshtuese për ligjin e ri të trajtimit të tyre financiar, me të cilat ata i janë ankuar Kushtetueses, ka qenë pikërisht kundërshtimi që ka ligji i miratuar nga qeveria me Kushtetutën e vendit. Madje jo vetëm kaq, por kjo pikë duket se ka qenë “thembra e Akilit” për ish-ushtarakët, të cilët, ashtu si në vitin 2007, nuk lëshuan “pe” as këtë herë për ligjin e trajtimit financiar.
Precedenti
Pranimi i kësaj pike nga Gjykata Kushtetuese është një ogur i mirë për mijëra ushtarakë në të gjithë vendin, të cilët kanë më shumë se dy vjet që nuk marrin pagesat mujore që u takojnë sipas ligjeve të posaçme. Tashmë shanset që ish-ushtarakët të fitojnë betejën ligjore me qeverinë për ligjin pensioneve duket se janë tepër të mëdha, aq më tepër që këtë herë ata kanë edhe një precedent për këtë çështje, që është vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datën 26 shkurt të vitit 2007, sipas të cilit, ligji i atëhershëm i trajtimit financiar të ish-ushtarakëve u shfuqizua si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Lajmi për caktimin e datës së shqyrtimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçe. Ky i fundit ka pohuar se mesditën e djeshme Gjykata Kushtetuese i ka depozituar kryesisë së Shoqatës njoftimin zyrtar për ditën në të cilën do të shqyrtohet ligji. Pogaçe sqaron se shqyrtimi i ligjit do të bëhet në një seancë të hapur, ku përveç përfaqësuesve të Gjykatës, do të jenë të pranishëm edhe ata të ish-ushtarakëve.
Kërkesa
Ligji i ri për pensionet e ish-ushtarakëve u depozitua për ankimim në Gjykatën Kushtetuese në mesin e muajit qershor të këtij viti. Duke qenë se ligji i miratuar nga qeveria nuk plotësonte as kërkesat më thelbësore të kësaj kategorie, ish-ushtarakët vendosën të mos i tërhiqnin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Sipas ish-ushtarakëve, ligji i ri për trajtimin e tyre financiar që miratoi qeveria në mbyllje të mandatit të saj përmban shumë probleme dhe diskriminime. Kjo bëri që në radhët e tyre të shtoheshin së tepërmi pakënaqësitë për këtë ligj, derisa ata morën vendimin për të nisur një tjetër betejë ligjore me qeverinë, që kishte të bënte me kontestimin e projektligjit të ri për pensionet. Ndonëse ish-ushtarakët iu drejtuan që para zgjedhjeve të 28 qershorit Gjykatës Kushtetuese për bllokimin e ligjit, vendimi për pranimin e kërkesës së tyre është bërë në ditët e fundit të muajit shtator. Vendimi i Kushtetueses është komentuar nga kreu i Shoqatës së Ushtarakëve si shenjë pozitive për zgjidhjen e problemit të tyre. “Gjykata Kushtetuese ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën me të cilën ne i jemi drejtuar asaj para pak kohësh për ligjin e miratuar nga qeveria për pensionet e ish-ushtarakëve. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ish-ushtarakët dhe një shenjë pozitive për zgjidhjen e këtij problemi. Ne kemi besim te profesionalizmi i këtij institucioni dhe shpresojmë që zgjidhja e çështjes së pensioneve të marrë rrugën e duhur”, - ka pohuar kreu i ish-ushtarakëve, Mehdi Pogaçe.
Shqyrtimi
Para se Gjykata Kushtetuese të vendoste datën e shqyrtimit të ligjit për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve, u kërkoi drejtuesve të tyre që të paraqisnin edhe njëherë argumentet kryesore kundërshtuese që kishin për ligjin e miratuar. Afati i vendosur nga Kushtetuesja për depozitimin e këtyre argumenteve ishte brenda datës 8 tetor 2009, afat që u respektua nga Shoqata. Tashmë dihen edhe pikat kryesore që ish-ushtarakët kundërshtojnë në ligjin e ri për trajtimin e tyre financiar. Në listën e argumenteve më të forta kundërshtuese për këtë ligj që drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve do t’i paraqesin Gjykatës Kushtetuese janë përfshirë disa pika kryesore që kanë të bëjnë me përplasjet që sjell ligji i miratuar me disa dokumente të tjera po ligjore. Mehdi Pogaçe shpjegon se cilat janë konkretisht këto pika. “Së pari, ligji bie në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me Kushtetutën e vendit tonë, me statusin e ushtarakut, si dhe me vendimin e mëparshëm të marrë po nga Gjykata Kushtetuese për ushtarakët në vitin 2007. Këto besoj se janë argumente mëse të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjin e pensioneve tona”, - përfundon numri një i ushtarakëve.
“Dita e gjykimit”, ish-ushtarakët në Kushtetuese me Anastas Duron
Kryesia e Shoqatës së Ushtarakëve, e parapërgatitur për “ditën e gjykimit” të ligjit, kanë zgjedhur edhe avokatin që do t’i përfaqësojë ata zyrtarisht në “gjyqin e madh” të pensioneve, i cili do të jetë ish-ministri i Punës, Anastas Duro. Anastas Duro, me profesion avokat, ka punuar prej tetëmbëdhjetë vitesh në Prokurorinë e rrethit Gjirokastër dhe në atë të Matit. Anastas Duro ka lindur më 29 prill të vitit 1953 në Gjirokastër. Ai është diplomuar në Fakultetin Juridik në Tiranë në vitin 1977 dhe deri në vitin 1995 ka punuar si prokuror dhe avokat në Gjirokastër dhe Mat. Duro e ka ushtruar profesionin e avokatit deri në vitin 2004. Në periudhën janar 2004-shtator 2005, ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë, post nga i cili u lirua një vit më pas, me firmë të kryeministrit Sali Berisha. Duro u rikthye në kabinetin qeveritar të Berishës në vitin 2008, në postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, post të cilin PBDNJ-ja e gëzon pas zgjedhjeve të vitit 2005.
Vendimi i Kushtetueses në 2007-n: “Ligji shfuqizohet si i papajtueshëm me Kushtetutën”
Dy vite më parë, më 26 shkurt të vitit 2007, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të neneve 1, 7 (shkronjat “a”, “b”) e 9 të Ligjit Nr. 9481, datë 16.2.2006 “Për disa ndryshime në Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005 ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipëris뒔. Vendimi i vitit 2007, i marrë nga Gjykata Kushtetuese për pensionet, i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri më 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por, përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.
Tafaj: “Nxënësit e shkollave profesionale, 6 mijë lekë bursë”
Nxënësit e vitit të parë të shkollave profesionale do të përfitojnë bursa prej 6 mijë lekësh në muaj. Kështu ka deklaruar dje gjatë vizitës në shkollën e mesme profesionale “Karl Gega” në Tiranë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ky i fundit ka bërë të ditur se do të ketë edhe kritere për degë të veçanta, por shumica e nxënësve do të përfitojnë bursa. “Nxënësit e vitit të parë do të kenë bursa në disa degë. Qeveria ka vendosur përpara dy javësh. Për disa degë nuk ka asnjë kriter, midis tyre është dhe dega e Ndërtimit, për degë të tjera ka kritere, po numri i bursave është shumë i madh, dhe pjesa më e madhe e nxënësve do të kenë bursa”,- tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, arsimi profesional do të mbetet prioritet, pasi edhe në progres raportin e Këshillit të Evropës për vendin tonë, arsimi mbetej një nga shtyllat kryesore.
17 Tetor 2009