Pakti me Greqinë, ankimimi i opozitës në Kushtetuese, javën e ardhshme
Shaban Sulçe
Opozita do të depozitojë javën e ardhshme ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Në fakt, depozitimi në Kushtetuese i këtij ankimimi ishte parashikuar të bëhej gjatë ditës së djeshme, por shkak për këtë shtyrje u bë vendimi i Kuvendit për ta shtyrë pa afat ratifikimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas presionit mediatik në rritje. E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës, në datën 19 tetor, Marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare. Në të nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ditën se kur do të bëhet ratifikimi i saj. Gjashtë parti opozitare, të majta e të djathta, kanë nënshkruar dokumentin, në të cilin i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të shprehen për kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së dy qeverive për ujërat territoriale shqiptare. Ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës i kanë bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të reagojë dhe të shprehet në lidhje me këtë çështje.
Presidenti
Ka qenë firmëtari i këtij ankimimi, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i cili gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar dje në qytetin e Beratit ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Presidenti i Republikës që të shprehet dhe të reagojë në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme. “Para dy ditësh kemi firmosur ankimimin. Do të vëmë në provë Gjykatën Kushtetuese dhe Presidentin e Republikës. I kemi kërkuar Presidentit që të jetë i vëmendshëm”, - tha Ngjela. Ish-deputeti i PD-së e cilësoi edhe dje këtë marrëveshje shumë të rëndë. Ai e krahasoi kryeministrin Sali Berisha me kryeministrin e qeverisë kuislinge të vitit 1939, Shefqet Vërlaci. “Një bandit si Sali Berisha po shet territorin shqiptar 250 km det dhe i japin lule në Parlament, njësoj si Shefqet Vërlacit në 1939-n, kur i dha kurorën Emanuelit II. Duhet të mendojmë për sovranitetin kombëtar. Sepse Berisha është kundër sovranitetit kombëtar”, - tha Ngjela. Akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit bënë edhe përfaqësues të tjerë të opozitës gjatë protestës së djeshme në Berat.
Drafti
Gjashtë parti të opozitës, të kryesuara nga Partia Socialiste, kanë nënshkruar dy ditë më parë draftin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Drafti është nënshkruar gjatë takimit që kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi me kreun e PDK-së, Nard Ndoka, me kreun e PLD-së, Spartak Ngjela, kreun e G99-s, Erion Veliaj, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreun e PDS-së, Paskal Milo. Drafti është përgatitur nga deputeti socialist Saimir Tahiri dhe objekti i ankimimit është Marrëveshja që ka nënshkruar qeveria shqiptare me qeverinë greke për dhurimin e territorit ujor shqiptar. Partitë opozitare do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë Marrëveshjen midis dy vendeve, pasi sipas opozitës, një marrëveshje e tillë përbën shkelje të rëndë të sovranitetit territorial të vendit. Opozita synon të bllokojë dhe të rrëzojë këtë marrëveshje edhe pa qenë e pranishme në Kuvend. Për këtë arsye, rrugëzgjidhja është parë te Gjykata Kushtetuese, për të cilën ajo do të depozitojë ankimimin. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar të paligjshme këtë marrëveshje do të bënte që Kuvendi i Shqipërisë të mos kishte mundësinë që të ratifikonte Marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve.
Bushati: “Berisha të heqë dorë nga dhunimi që i bën sistemit të Drejtësisë”
Partia Socialiste ka reaguar sërish në lidhje me përmbajtjen e Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha se në rast se kryeministri Berisha premton t’i kthejë vërejtjet në këtë raport në objekt të punës së qeverisë, atëherë ai duhet të dorëzojë te Drejtësia ministrat e pandehur dhe të bëjë një reformë reale në Drejtësi dhe në Gjyqësor. “Në mënyrë që aplikimi për anëtarësim i Shqipërisë të mos shtyhet pafundësisht, i kërkojmë kryeministrit dhe kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike që në përputhje me gjetjet e Progres-Raportit të Komisionit Europian të ndërmarrë veprimet e mëposhtme. Të dorëzojë para Drejtësisë ministrat Mediu e Basha në mënyrë që opinioni publik shqiptar dhe ai ndërkombëtar të marrin përgjigje përfundimtare për personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit dhe gropës megakorruptive të segmentit ‘Rrëshen-Kalimash’. Të zbatojë të gjitha vendimet e Gjyqësorit në lidhje me administratën publike dhe të dorëzojë para Drejtësisë të gjithë zyrtarët e lartë që duke abuzuar me taksapaguesit shqiptarë paguajnë tre persona për të njëjtin vend pune. Të përmirësojë në mënyrë rrënjësore kapacitetet bashkërenduese, planifikuese dhe burimet njerëzore në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe aplikimit të Shqipërisë në BE, duke respektuar shërbimin civil si shtylla kurrizore e një shoqërie demokratike, dhe jo ta kthejë administratën në zyra punësimi për të shpërblyer militantët në bazë të parimit 20% LSI dhe 80% PD, siç po ndodh rëndom aktualisht. Të heqë dorë nga dhunimi sistematik i institucioneve të Drejtësisë në mënyrë direkte dhe indirekte, pasi reforma në këtë sektor jetik nuk duhet kuptuar si një reformë numrash në Kuvend në favor të pushtetit, por një reformë që të ndajë një herë e mirë shtetin nga pushteti”, - tha Bushati.
17 Tetor 2009