Manipuloi dosjen për vrasje, pranga oficerit
FIER/ Vasil Ristani dyshohet të ketë ndërhyrë në provat e vrasjes së Edmond Vruhos, të ndodhur në vitin 2004
FIER - Një oficer i policisë gjyqësore ka përfunduar në pranga dje pasi dyshohet se ka manipuluar një dosje për qëllime përfitimi, që si pasojë solli pafajësinë e një autori vrasjeje. Vasil Ristani është arrestuar nga kolegët e tij nën akuzat e "korrupsionit pasiv të kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike", si dhe të "shpërdorimit të tyre". Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se menjëherë pas arrestimit, është marrë edhe masa e pezullimit nga detyra e punonjësit të policisë. Mësohet se ka qenë një hetim disamujor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme në bashkëpunim me njësinë Task Force të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier që solli në arrestimin e oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Vasil Ristani. Masa e arrestit me burg pa afat ndaj tij u dha nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.
"Ristani akuzohet se për qëllime përfitimi dhe duke shpërdoruar atributet e policisë gjyqësore ka sajuar prova të rreme gjatë hetimit të një ngjarjeje të rëndë kriminale duke sjellë si pasojë pafajësinë e një autori vrasjeje",- bënë të ditur burimet zyrtare të policisë. Ristani do të përgjigjet para drejtësisë për kryerjen e veprave penale të "korrupsionit pasiv të kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike" dhe të "shpërdorimit të detyrës". Strukturat hetimore vazhdojnë hetimet për të identifikuar të gjithë personat e mundshëm të përfshirë në këtë çështje, u shpreh zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Brendshme.
Vasil Ristani dyshohet të ketë ndërhyrë në provat e çështjes së vrasjes së ndodhur më 5 maj të vitit 2004 pranë shkollës "Qemal Stafa" në Tiranë ku u ekzekutua shtetasi Edmond Vruho, 35 vjeç. Pas hetimeve të kryera dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve u arrit të provohej se autor i kësaj vrasjeje ishte shtetasi Bledar Qemali dhe se krimi ishte kryer për motive gjakmarrjeje, pasi Vruho kishte vrarë në vitin 1996 Kastriot Qemalin, vëllanë e Bledarit në qytetin e Fierit. Gjatë hetimeve dëshmitarët identifikuan si autor shtetasin nga Fieri, por gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, dëshmitari kryesor u tërhoq ndërkohë që autori i dyshuar arriti të marrë pafajësinë lidhur me vrasjen e kryer. Ndërkohë, çështja është ridërguar në Gjykatën e Tiranës në shkurt të këtij viti nga Prokuroria.
Zanafilla
Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, të vitit 2007, rezulton se Kastriot Qemali dhe Edmond Vruho kanë qenë shokë dhe kanë banuar në lagjen "Konferenca e Pezës" të qytetit të Fierit dhe të dy së bashku kanë qenë në Itali dhe Greqi. Edmond Vruho në Itali është kapur nga policia italiane dhe ka vuajtur dënim me burgim. Bindja e Vruhos se është kallëzuar në autoritetet italiane nga viktima Kastriot Qemali ka shërbyer si motiv për të realizuar vrasjen për të cilën është akuzuar dhe i pandehuri Piro Nano. Është provuar se në date 28.10.1996, rreth orës 20:30, para se të ndodhte ngjarja, viktima Kastriot Qemali ka mbyllur makinën e tij para pallatit dhe pasi ka shkuar në shtëpi të prindërve të tij u ka thënë atyre se po më ndjekin pas Piro Nano dhe Mond Vruho se duan të më vrasin dhe se do shkonte te e fejuara, e cila banonte në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Fierit.
Ka rezultuar se viktima Kastriot Qemali sapo është larguar 50-60 metra nga shtëpia e tij është goditur me armë zjarri nga të pandehurit Edmond Vruho e Piro Nano, të cilët ndodheshin në autoveturën tip "Audi", mjet i të pandehurit Piro Nano. Pas ngjarjes të dy të pandehurit janë larguar jashtë shtetit duke iu fshehur organit të hetimit dhe duke u gjykuar në mungesë". Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në vitin 2002 të dy të pandehurit fituan pafajësinë. Ekzekutimi i Vruhos u bë tetë vjet pas vrasjes së Kastriot Qemali.