E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, ligj i ri për sigurimin

 

BLEDAR HOTI

Çdo pasagjer në rast fatkeqësish në udhëtimet e tyre do të dëmshpërblehet nga agjencitë e sigurimit. Qeveria me projektligjin e ri ka parashikuar sanksione të reja për sigurimin e udhëtarëve, që duhet të realizohet dhe nga ana e pronarëve të përdoruesit të mjeteve motorike.
Projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” pritet të diskutohet gjatë këtyre ditëve nga ana e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe atij të Ligjeve. Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. “Kontrata e parashikuar lidhet nga pronarët e: a) autobusëve urbanë; interurbanë dhe për transportin publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira; b) autobusëve të transportit të punëtorëve dhe autobusëve të shoqërive turistike; c) taksive dhe makinave me qira, kur jepen së bashku me drejtuesin; ç) të gjitha mjetet lundruese detare, lumore dhe liqenore; përfshirë tragetet, për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta, dhe transportin e turistëve, si dhe të mjeteve lundruese pa motor”, thuhet në nenin 17 të këtij projekti. Gjithashtu përfshihen edhe avionë të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve; teleferikëve dhe mjeteve të transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajin, metorinë, si dhe mjete të tjera që lëvizin mbi shina. Minimumi i shumës së siguruar si detyrim i një shoqërie në kontratën e sigurimit është 2 milionë lekë. Kjo përfshihet për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit në rast vdekjeje. Ndërsa minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer në rast të paaftësisë së përhershme është 4 milionë lekë. Në nenin 20 të këtij drafti, theksohet se pasagjeri i përfshirë në një aksident ose përfituesi në rast kur pasagjeri vdes, ka të drejtë, sipas kushteve të kontratës së sigurimit të kërkojë që shoqëria e sigurimit, me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit të paguajë detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë drejtpërdrejt tek ai. Në projektligj janë përcaktuar pagesat minimale të sigurimeve për dëmet që shkaktohen nga aksidentet me pasojë vdekjen. Kufiri minimal është 50 milionë lekë. Për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme, sigurimi shkon deri në 200 milionë lekë. Për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një ngjarje për autobusët dhe kamionët, përfshirë rimorkiot, shoqëria e sigurimit duhet të paguajë 15 milionë lekë, ndërsa për mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme shuma që duhet të paguajë shoqëria e sigurimit shkon në 20 milionë lekë.

Pagesa nga sigurimet e detyrueshme

1) Për dëme biologjike me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:
a) për autobusë dhe kamionë     150 milionë lekë
b) për mjete që transportojnë
lëndë të rrezikshme                200 milionë lekë
c) për mjete të tjera, përfshirë
mjetet e paidentifikuara            50 milionë lekë

2. Për dëme morale dhe ekzistenciale, të shkaktuar nga një aksident ose seri aksidentesh:
a) dëmi moral dhe ekzistencial nga vdekja
apo paaftësia e përhershme ose e pjesshme    
1 milionë lekë
b) dëmi moral edhe ekzistencial, nga
dëmtimet e tjera                    500 mijë lekë
c) dëmi moral, paaftësia totale,
e përhershme                    2 milionë lekë
d) dëmi ekzistencial, nga vdekja
apo paaftësia totale, e përhershme        1.5 milionë lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›