FIFA zbardh pesë më të mirët në Botë
Kristiano Ronaldo është shumë pranë fitimit të çmimit “FIFA World Player 2008”, ndërkohë që një javë më parë ai u shpall futbollisti më i mirë që luan në Evropë. Në listën e emrave, që u publikua ditën e premte, si favorit për fitimin e këtij trofeu shihet portugezi, i cili shënoi 42 gola me Mançesterin, duke e udhëhequr atë drejt triumfit në Ligën e Kampioneve dhe Premier Ligës. Fill pas tij renditet Lionel Mesi, i cili udhëhoqi Argjentinën e tij drejt fitimit të medaljes së arit në Lojërat Olipmike të Pekinit. Dy të parëve i shtohen edhe emrat e spanjollëve Fernando Torres dhe Ksavi Hernandes. Torres shënoi 33 gola në sezonin e debutimit me Liverpulin, ndërkohë që fitoi Euro 2008 me Kombëtaren e Spanjës. Po ashtu edhe Ksavi Hernandes, i cili u shpall edhe lojtari më i mirë i kompeticionit të fundit evropian. “Top-listës” i shtohet edhe emri i Rikardo Kaka, i cili fitoi këtë çmim një vit më parë. Vitin e shkuar, Ronaldo përfundoi i treti në këtë betejë, ndërsa Mesi i Barcelonës, i cili frymëzoi Argjentinën ishte ndjekësi i fantazistit të Milanit, Kaka. Votimin për këtë çmim e bëjnë trajnerët dhe kapitenët e skuadrave kombëtare për femra dhe meshkuj në të gjithë botën. Ky çmimi do të jepet më 12 janar në “Opera House” të Zyrihut.