E Diel, 1 Nëntor 2026

Agustin Kola te Tirana: Drejtoj ekip gjeneralësh

 

ADRIATIK BALLA   

Është zyrtarizuar përfundimisht dje trajneri i ri i Tiranës. Ai është Agustin Kola, i cili do të drejtojë këtej e tutje bardheblutë në misionin e tyre për të fituar titullin kampion. Në një atmosferë përgjithësisht të ngrohtë dhe nën praninë e të gjithë skuadrës, kryedonatori Refik Halili ka prezantuar teknikun Kola, duke bërë të ditur para lojtarëve dhe dëshirën e tij për të pasur rezultate. Kola në intervistën e tij të për mediat, parashtroi ambiciet e tij.
Riktheheni te Tirana tashmë si njëshi i pankinës ...
Unë këtu jam në shtëpinë time, pasi nuk është nevoja të them se unë jam një bardheblu i lindur e i rritur, me shpirt të tillë dhe me ndjesi të tilla. Skuadrën e kam ndjekur vazhdimisht dhe gjatë kohës që s’kam qenë këtu. Sidoqoftë është kënaqësi.
Cilët janë faktorët që ndikuan të pranonit ofertën? Cilat janë kushtet?
Nuk ka kushte. Unë jam i familjes dhe do të marr përgjegjësi. Do të jap maksimumin për nderin e kësaj fanelle. Falënderoj kryedonatorin Halili dhe donatoren Ngjela që më besuan. Së bashku me skuadrën, s’na mbetet gjë tjetër veçse të kthejmë besimin tek dashamirësit tanë të shumtë.
Slishkoviç është shprehur se ka lënë një skuadër shumë të përgatitur. Ju e konstatoni këtë?
Sigurisht. Nuk ka nevojë për koment, që ai ka bërë një punë të shkëlqyer. Unë do të vazhdoj në gjurmët e tij, duke menduar që këtë nivel ta çojmë më tej. Më ka lënë një ekip shumë të fuqishëm, ndaj dua ta përgëzoj për punën që ka bërë.
Në ikje e sipër, ai tha se këtu ka klane. S’ju shqetëson ky fakt?
Aspak. Nuk besoj të ketë klane në këtë skuadër. Këtu të gjithë duan të dalin kampionë, dhe unë jam këtu për të qenë i tillë sërish. Sidoqoftë, mua më pëlqejnë sfidat. Gjithsesi, nuk e shoh skuadrën si një grup ku mbizotërojnë klanet. Absolutisht jo.
Por për lojtarët e Tiranës thuhet se janë gjeneralë më vete, nuk pyesin as për trajner e as për asgjë. S’ju tremb kjo?
Gjeneralë? E ku ka më mirë. Madje të them të drejtën unë kështu i kam vlerësuar gjithmonë lojtarët e Tiranës, gjeneralë. A nuk është më mirë të jenë gjeneralë se sa ushtarë? E pra, unë do të drejtoj një skuadër “gjeneralësh” të futbollit shqiptar. E rëndësishme është të tregojmë vërtet se jemi gjeneralë të kampionatit.
Nuk mendoni se mund të pësoni fatin e trajnerëve paraardhës?
Po mendoj por sfidën me Apoloninë, pasi të gjithë e duam fitoren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›