E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Berlin, për të parë sesi gjermanët hapën dosjet sekrete

 

Nga Berlini Elsa Ballauri

Berlini i 1994, siç e kisha lënë herën e fundit kur isha atje, ishte shumë i ndryshëm nga ai që pashë përpara 4 ditësh. Qyteti ishte bashkuar dukshëm, madje ish pjesa lindore e saj, ndryshe nga trishtimi dhe monotonia e së kaluarës, tani është ambienti më i preferuar i berlinezëve dhe të huajve që vizitojnë qytetin e madh.  Në qendrën e vjetër të ish qytetit lindor, pranë monumentit të Marksit dhe Engelsit, ishte një gropë e madhe, pasojë e prishjes së Pallatit të Republikës, i cili pas shumë debatesh mbi rrezikun që mund të sillte prej përbërjes së tij me material asbesti, ishte prishur prej vitesh, duke e qetësuar deri diku debatin politik që shqetësonte Perëndimin. Mendohej të ngrihej një ndërtesë xhami, ashtu siç ishte rindërtuar një pjesë e mirë e zonës lindore, gjë që e ka bërë më optimist qytetin. Pavarësisht nga ndryshimet që unë shihja në shumë pjesë të qytetit, ndërtesat e Stasit ishin të njëjta. E njëjta tullë gri e trishtuar, i njëjti kuadrat dhe trotuaret rreth e rrotull kishin të njëjtën tkurrje, sikur ndjeje se matanë mureve tragjedia s’kishte mbaruar.
Vizita jonë në Berlin lidhej me takimet dhe eksperiencën e punës në institucionin e znj. Marianne Birthler, e cila vizitoi Tiranën përpara dy muajsh dhe pa se sa e ndryshme ishte eksperienca shqiptare postkomuniste në të dyja vendet. Ajo që në Tiranë na u duk shumë e lehtë se mund të realizohej, ishte shumë e vështirë, pasi vizituam Institutin e Trajtimit të Dosjeve.
Ishim 12 shqiptarë, përfaqësues të Shoqërisë Civile, Parlamentit, historianë. Ditën e parë, Berlini kishte një kohë të hapur dhe një qiell të ndriçuar, më tutje koha gri dhe me shi sikur përkoi me vizitat tona mbi një histori të zymtë njerëzore…
Nuk ishte rastësi që shumë biseda për historikun e Stasin nisnin me emrin e Feliks Xherxhinskit, krijuesin dhe udhëheqësin e Çeka-s ruse. Modeli i përkryer i survejimit dhe ndjekjes së armiqve, spiunëve, qytetarëve që mendonin dhe përpiqeshin të vepronin kundra, e josimpatizantëve të regjimit në fuqi, ishte frymëzuar në të gjitha vendet e Lindjes nga institucioni i parë që krijoi Xherxhinski me porosi të Leninit. Modeli ndërtoi edhe institucionin gjigant të policisë sekrete të Evropës Lindore, ku ai i Gjermanisë Lindore ishte më i përsosuri, ndërsa më i egri ishte ai i Shqipërisë sonë. Në shpjegimet që jepte znj. Thiel në Qendrën e Informacionit të ish-Stas-it, dukej sikur po fliste për Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Po i njëjti survejim, e njëjta skemë e ndarjes së punonjësve të sigurimit, atyre që ishin legale dhe ata të fshehtit, po e njëjta mënyrë e marrjes me qira të qindra apartamenteve ku bëheshin takimet sekrete të punonjësve me spiunët... Vetëm, aty–këtu nëpër pyetje më të hollësishme, kuptoje që për të njëjtat krime, dënimet e gjermano-lindorëve zbuteshin, madje dukeshin shumë luksoze në krahasim me ato të shqiptarëve. E megjithatë, përmasat në të cilat ishte ndërtuar institucioni i Gjermanisë Lindore ia kalonte shumë herë të gjitha vendeve. Stasi ishte një institucion në rang ministrie. Edhe vetë emri i tij është shkurtimi për Ministria e Sigurimit të Shtetit. Ai u ndërtua në zonën lindore të Berlinit, në Lichtenberg. Stas-i, sipas sloganit të njohur, ishte Mburoja dhe Shpata e Parties (Schild und Schwert der Partei). Stasi u krijua në 8 shkurt të 1950 dhe ministri i parë ishte Zuesser, ndërsa Erich Milke që do të shquhej në karrierën e tij jo vetëm si i fundmi ministër, por edhe ndër më të egrit, ishte në atë kohë zëvendësi i tij. Në fillimet e veta, në 1950, Stasi kishte vetëm 2700 punonjës, në fund, në vitin 1989, ata u rritën në 91.000. Gjatë kësaj periudhe, Gjermania përjetoi frikën e sistemit, nënshtrimin, vuajtjen dhe fatkeqësitë e shumta të qindra dhe mijëra individëve dhe familjeve. Punonjësit e sigurimit paguheshin më shumë se të tjerë qytetarë, por kishte nga ata që sikurse në Shqipëri, merrnin rrogat e tyre nëpër vendet ku punonin dhe pastaj një ekstra rrogë nga Stasi. Natyrisht kishte ende nga ata që nuk paguheshin fare, por të detyruar, bënin punën e kallëzimtarëve, siç iu kërkohej. Rrogat e punonjësve llogariteshin nga 1200-200 DM, një shumë e konsiderueshme në atë kohë. Punëtorët e Stasit ishin nga të gjitha shtresat e popullsisë. Ideologjia e pas Luftës së Dytë Botërore ngjalli një vullnetarizëm të madh në popullin gjerman, që tashmë në aleancë me fitimtarët sovjetikë e shihnin fuqizimin e vendit të tyre në përsosjen dhe kompletimin e sistemit socialist. Për këtë arsye ata iu përkushtuan shumë. Por forcimi i Stasit kishte të bënte edhe me ekzistencën e Gjermanisë Perëndimore, në pragun tjetër. Atje ishte frika e Partisë së Bashkuar Socialiste të Gjermanisë (SED), atje ishte fobia e krijuar në psikologjinë e miliona njerëzve të thjeshtë, të cilët u mësuan të jetonin nën sloganet komuniste dhe të bënin vëllavrasjen e njohur nëpërmjet kallëzimeve. Por atje ishte edhe shpresa dhe drita e lirisë për qindra mijëra të tjerë, që nga viti në vit kuptonin dhe ndjenin mungesën e frymëmarrjes në njërën anë të murit. Vështirë të kapërcehej në anën tjetër, por megjithëse vështirë, shumë njerëz e bënë këtë.
Reinhard Fuhrmann, ishte një nga ata studentë të universitetit të Jenes, që vendosi të arratiset me disa shokë nga kufijtë tokësore. Ai tregon se një nga ikjet e dendura që ndodhnin në atë kohë, ishte ajo nëpërmjet lumit Shpree, atje ku vendi është më i ngushtë. Shumë kanë ikur, kujton Furhmann, por ne zgjodhëm kufirin bullgar, e pastaj në Jugosllavi. Jugosllavia ishte edhe vendi më liberal nga ku ata mund të iknin me lehtësi në Perëndim. Por fati nuk e ndihmoi, disa shokë arritën të ikin, ai u kap dhe  vuajti në paraburgimin e Jenes 5 muaj, nën presionin e torturave, sidomos atyre perikologjike. U dënua një vit dhe nuk e bëri të gjithë dënimin, sepse u ble nga gjermano-perëndimorët për 100.000 DM. Kjo ishte edhe mesatarja e blerjes së një personi. Institucioni i paraburgimit në Gedenkstatte, në Berlin, është një nga më të mëdhatë dhe famëkeqit. Ai ishte ndërtuar në tre kate, ku kati i nëndheshëm mban emrin ‘Nëndetëse’, sepse të krijon përshtypjen e të fundosurit nën ujë dhe se dukej se gjithçka makabre që mund të ndodhte atje nuk dilte dot kurrë mbi sipërfaqe. Furhmann u shoqërua me të njëjtën autoburg si ai që tashmë është ekspozuar në ambientet e ish-paraburgimit. Fatos Lubonja, një nga pjesëtarët e grupit tonë, kujtoi se autoburgu ynë ishte më i thjeshtë, ndërsa ai gjerman, ndonëse në sipërfaqe shumë të vogël kishte minindarje, ku mund të qëndronin të izoluar tre të burgosur. Sipas Fruhmann, të burgosurit ishin gjithmonë me sy të lidhur dhe duhej të mbanin kokën shumë poshtë. Së pari, ata nuk duhet të dinin kurrë se ku i çonin, dhe së dyti duhej të nderonin, por njëkohësisht të tregonin nënshtrimin dhe pendimin e tyre kur bisedonin me oficerët e sigurimit. Fshehtësia, ishte një nga kriteret e rrepta të Stasit. Askush s’duhet të dinte shumë, oficerët e futur në detyrë në vitet 1950 e më tutje, ishin persona që u shkëputen nga të gjitha aktivitetet e tyre shoqërore. Ata bënin një jetë të kufizuar me pothuajse fare pak miq, ishin të heshtur dhe dilnin shumë pak në publik. Kjo procedurë ndiqej edhe brenda bodrumeve dhe qelive të ‘Nëndetëses’, i burgosuri nuk duhej të dinte se cili polic e shoqëronte, ai gjithmonë mbahej me sy të lidhur. Gjermanët janë ndër kombet e rralla që e trajtojnë fjalën e ligjit si fjalën e Zotit. Fshehtësia që duhej të mbahej mes personave, pra, të burgosurit dhe policit, ishte edhe për arsyen që ata të mos njiheshin që në një të tashme apo të ardhme të mundshme të hakmerreshin. Trajtimi i njerëzve brenda qelive ishte shumë strikt. I burgosuri nuk duhej të mbështetej pas murit dhe kjo ishte një nga torturat e padurueshme, gjithashtu, gjatë ditës, ai nuk mund as të ulej në shtrat, përndryshe dënohej me mungesë ushqimi. Nëpër qeli ruhen ende mënyrat e torturave. “Nëndetësja”, dukej si e harruar në qytetin e madh dhe me drita. Ne, që po e vizitonim atë, na dukej se vërtet ndodheshim nën ujë, apo diku nëntokë, të harruar. Por befas mund të trembeshe nga zëra të tjerë që dilnin nga korridoret e ngushta rreth nesh. Në një çast të bëhej se vetëm zëra të zakonshëm njerëzish ishin gjëja më e pazakontë atje. Por, pas një minute shihje një grup vizitorësh që dëgjonin me vëmendje. Nevoja për ta ndërtuar kujtesën edhe me ato mure me lagështirë të bodrumeve të Stasit, është ajo që na mungon ne shqiptarëve, ndryshe nga gjermanët. Njerëzit kanë nevojë të dinë dhe ata përpiqen për ta arritur këtë. Pothuajse në të gjitha muzeumet e Stasit që vizituam, kuriozët ishin të rinjtë. Si gjithmonë të rinjtë janë më të interesuarit, sepse përpiqen të kompletojnë veten e tyre, por ama, atyre duhet t’iu krijohen këto kushte: të edukohen me këtë frymë. Kjo është edhe një nga arsyet që institucioni i znj. Birthler, ka një departament shumë të madh studimor. Ai merret me hartimin e teksteve, studimeve të ndryshme mbi dosjet e grumbulluara, një pjesë e mirë e tyre janë futur në kurikulat e shkollave. Megjithatë, kjo ende është në proces ndryshimi, sepse Gjermania është ndërtuar mbi bazë Landesh dhe politikat e arsimit janë të ndryshme në lande të ndryshme. Ngritja e ndërgjegjësimit të brezave, bëhet nga ky institucion studimi me frymëzim dhe në mënyrë sistematike. Vetëm gjatë vitit 2007 janë zhvilluar 191 aktivitete të lidhura me historinë e Stasit, pasojat e tij, nevojat për ta njohur dhe debatuar atë. Një nga aktivitetet është edhe trajnimet speciale për kualifikimin e mësuesve. Marianne Birthler e tha për herë të parë në Tiranë për shqiptaret se sa e rëndësishme ishte për gjermanët të shihni dosjet e mësuesve. Kjo ishte një kërkesë e prindërve, që nuk donin që fëmijët e tyre të edukoheshin nga ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët. Pothuajse 1/3 e mësuesve u ndaluan pas kësaj të ushtronin profesionin e tyre të mësimdhënies.
Gjermanët ende nuk kanë shpëtuar nga hija e keqe e nazizmit. Nevoja për të shpërthyer dyert e Stasit dhe për të hapur dosjet sekrete, ishte edhe nga hija e ankthit të së kaluarës naziste, ku një pjesë e madhe e popullsisë së vendit iu bashkuan nacional-socialistes. Aktualisht ka një debat për përfshirjen më të madhe të periudhës së nazizmit nëpër shkolla, për të realizuar një raport më të balancuar të historisë së nazizmit me atë të Stasit. Departamenti i studimeve i kushton një rëndësi shumë të madhe studimit të rasteve edhe nga ana psikologjike e sociale. Edhe këtu ka një dilemë, a duhet të shkohet shumë thellë në studimin e rasteve, apo kjo mund të bie ndesh me të drejtën e privatësisë.
Dosja ime është imja, ishte slogani i parë që zuri vend në gojën e njerëzve, kur ata i zaptuan për herë të parë ndërtesat e Stasit në 1989. Kjo ndodhi në të gjitha qytetet e Gjermanisë Lindore dhe kjo u realizua. U hap një debat i ashpër që kishte dy tendenca: dosjet ose duheshin hapur të gjithë dhe për këdo, ose duheshin asgjësuar. Duke ndjekur versionin e parë, Gjermania hyri në një tjetër fazë rivlerësimi të vetvetes, atë që s’kishte mundur ta bënte dot të plotë në vitet e pas nazizmit. Znj. Birthler na takoi si miq të vjetër, tashmë dinim më shumë edhe ne vetë, por çuditë vazhdonin kur ajo tha se në institucionin e saj punojnë rreth 2000 vetë. Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj pyetjes se ç’pësonin familjet pasi një person i tyre futej në burg. Sigurisht pasojat ishin, rrezikoheshe vendi i punës, shihej me tjetër sy, por nuk ishin të tilla si në Shqipëri. Atje nuk ishte krijuar komisioni i internim dëbimeve, nuk kishte kampe internimi e, megjithatë, njerëz të rrezikshëm dërgoheshin të vuanin dënimin në BS. Një nga arsyet që nga njëra anë Stasi ishte shumë i organizuar dhe i fuqishëm, por nga ana tjetër shumë më i sofistikuar dhe më i padukshëm, ishte se Gjermania Lindore përpiqej të dukej një vend demokratik që përparonte. Birthler pohoi se përndjekja asnjëherë nuk e uli ritmin dhe forcën e saj në DDR. Por ndërsa deri në vitin 1960, sidomos pas vdekjes së Stalinit, ajo ishte shumë represive dhe më e drejtpërdrejtë, më vonë filloi të përsosej në sofistikimin e saj dhe represioni mori forma legale. Ende nuk ka një shifër të përndjekurish, por ata që quheshin politikë në të gjithë periudhën ishin rreth 250.000. Ajo që vendosi Parlamenti i parë pas rënies së murit të Berlinit, ishte shumë e rëndësishme: Dosjet nuk do të futeshin në Arkivin  e Shtetit, prej nga ku do të ishte shumë vështirë të dilnin: për to duhej të krijohej një tjetër qendër: ato duhej t’i shërbenin qytetarëve të tanishëm dhe brezave të tjerë që do vinin më pas.
Në kuartierin gjigani të Stasit, në godinën qendrore, ku Milke kishte pasur zyrën e tij, është krijuar muzeumi i Stasit, çdo objekt që u përdor në atë kohë, postera dhe botime që e përshkruanin ideologjinë, mënyra të çuditshme, naive, madje dhe qesharake të survejimit, si p.sh. vendosja e një aparati fotografik në pjesën e poshtme të një ujitëse metalike. Përfytyroni një kopshtar spiun, i cili ndjek viktimën e tij nëpër parqet e qyteteve dhe në një mënyrë të zgjuar primitive fotografon momente të dyshimta. Për ne shqiptarët, nuk ishin as të reja as të çuditshme. Historiani dhe një nga drejtuesit e arkivave tona, Kastriot Dervishi, tha se ne kishim edhe më shumë “çudira” survejuese, dhe të gjitha për të kompletuar institucionin e Frikës, e për të mbajtur nën të mijëra dhe miliona njerëz. Në vizitat tona kishim gjithmonë të pranishme Korinën, një nga juristet e reja dhe të talentuara të zyrës së Birthler-it. Diskutuam disa herë se sa efikase mund të ishin shumë nga eksperiencat që pamë në Berlin për t’u përshtatur në Tiranë. Por sa gjëra ndryshe ka. Ku është ai entuziazëm qytetar që vendosi veton mbi fatin e dosjeve, ku është ai organizim shtetëror që ndihmoi në krijimin e institucionit të hapjes së dosjeve, ku është ai pasion shkencor për të analizuar dhe shkruar të vërtetën, ku është ajo energji njerëzore që mund të krijojë muzeumet dhe ekspozitat e t’i vërë ato në shërbim të së ardhmes…
Për fat të keq, gjërat janë ndryshe: asnjëherë populli shqiptar s’e kërkoi të drejtën e tij, shteti demokratik shqiptar e harroi befas të kaluarën, shkencëtarët shqiptarë nuk po ia gjejnë fillin historisë, ndërsa muzeu i genocidit shqiptar është mbyllur dy muaj më parë. E vetmja gjë që mund të jetë e pranueshme virtualisht, është thënia që përmendi një ish i burgosur gjerman në bisedën që bëmë me të: Komunizmi është si vampiri: edhe kur është bërë hi, i mjafton një pikë gjaku të ringjallet.

Stas-i, 180 kilometra dosje

Që prej verës së vitit 1989 deri në fund të vitit, kur u mblodh Parlamenti i parë gjerman, punonjësit e Stasit u përpoqën me të gjitha mënyrat të asgjësonin dosjet. Ata nuk mundën t’i digjnin ato për shkak të zjarrit dhe tymit. Vendosën t’i asgjësonin me grisje apo prerje. Puna ishte shumë e madhe. U arrit të futeshin nëpër makinat prerëse mijëra tonë letër dhe mikrofilma, shumë dokumente u grisën. Me materialet e dëmtuara u mbushën 15.500 thasë. Kur thasët u gjetën, asgjësuesit menduan se ato do të hidheshin si të panevojshme. Ndodhi e kundërta. Sot punojnë me dhjetëra vetë si specialistë për riparimin e këtyre dokumenteve. Eshtë shumë e vështirë puna, pavarësisht nga mundësitë e mëdha që jep teknologjia moderne. Deri tani janë riparuar 600.000 fletë. Sikur të vazhdohet me këtë ritëm pune, koha që duhet për të përfunduar restaurimin e tyre, është 400 vjet.  Dosjet e Stasit që u gjendën nëpër arkivat e këtij institucioni në DDR, maten në 180 km…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›