Braçe: Nuk do votojmë ligjin Bumçi: Rama, nip i Byrosë
Aristir Lumezi
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndajnë pozicione të kundërta në lidhje me ligjin e “Dosjeve”. Partia Socialiste përmes nënkryetarit të grupit parlamentar, Erion Braçe, e konsideron këtë ligj si një presion dhe luftë që po i bëhet Prokurorisë dhe Gjykatës, veçanërisht ndaj çështjes së Gërdecit dhe Fazlliç. Sipas tij, Partia Socialiste nuk do ta votojë atë.
“Ligji synon thjesht dhe vetëm ndëshkimin, spastrimin apo shtetëzimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese, siç është Prokuroria dhe Gjykata në shërbim dhe favore jo për Lulzim Bashën, nuk ka Zot që do mbyllë dosjen e vjedhjes në segmentin Rrëshen-Kalimash, por dy dosjet e tjera, dosjen e Gërdecit dhe natyrisht dosjen e sekserit të Damir Fazlliç. Kësaj dosjeje, gjykimi do t’i shkojë deri në fund. Dy të tjerat vihen në rrezik, sepse janë ende në fazë hetimi pikërisht nga veprimet e Sali Berishës kundër institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është Prokuroria apo dhe Gjykata”, tha Braçe. Ndërsa zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, e konsideroi qëndrimin e socialistëve të artikuluar nga Braçe të ndikuar nga Edi Rama. “Edi Rama nuk mund të votojë pro këtij p/ligji, sepse ai është nip i një ish-anëtari të Byrosë Politike, i cili ka persekutuar me dhjetëra inxhinierë dhe intelektualë të shkolluar në Perëndim. Ndaj dhe Edi Rama nuk mund ta votojë këtë p/ligj, pasi është njësoj sikur të votojë kundër vetvetes”, tha Bumçi.
Ligji për pastërtinë e figurave politike dhe funksionarëve të lartë të shtetit, është miratuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve pa praninë e socialistëve me votat e maxhorancës. Partia Demokratike konsideron se “p/ligji ‘për dosjet’ nuk është një akt hakmarrje, por respekt ndaj viktimave të komunizmit”. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, theksoi në një konferencë për shtyp se, “p/ligji që do të votohet të hënën në Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të mirët në fushën e lustracionit. Ky është një proces jetik në vendosjen e standardeve demokratike. Projekti nuk është një akt hakmarrje, por një akt respekti ndaj të gjithë viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejta njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar”. Demokratët i kanë bërë variantit të parë të ligjit disa modifikime, për të marrë konsensusin e socialistëve, modifikime që lenë në skenën politike ish-ministra dhe sekretarë partie të kohës së monizmit. Nga lista e gjatë e pozicioneve që prekeshin nga ky variant, u hoq pozicioni i ministrit të Arsimit dhe sekretarëve të parë të PPSH-së në rrethe, duke shmangur nga penalizmi i ligjit figura të tilla politike të së majtës, si Skënder Gjinushi dhe Gramoz Ruçi. Kreu i PSD-së, deri në 8 dhjetor 1990, kohë kur vepron ky ligj, ka qenë ministër i Arsimit, ndërsa Ruçi sekretar i parë i komitetit të partisë së rrethit Tepelenë. Ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve e të lartë të shtetit dhe politikanëve miratohet me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa maxhoranca kërkon që këtë ligj ta kalojë duke siguruar edhe mbështetjen e opozitës, si një ligj që kërkon të shkëpusë politikën aktuale nga e kaluara komuniste e vendit.