Pas Slishkoviçit, ikën edhe Indrit Fortuzi
Edhe pse duket si diçka krejt normale për një pjesë në klubin bardheblu, për pjesën më të madhe, mungesa e Fortuzit në fushën e stadiumit “Skënder Halili” dukej e pabesueshme. Një telefonatë nga drejtori i klubit, i komunikonte ndërprerjen e marrëdhënieve me skuadrën, me arsyetimin “zyrtar” se trajneri Blaze Slishkoviç është larguar dhe trajneri i ri punon me stafin e tij të dëshiruara. Mungesa e Fortuzit la një shije të keqe në gjithë zhvillimet e djeshme, pasi “Zogu” pati punuar mjaft mirë me skuadrën gjatë kësaj kohe, qoftë në planin fizik, po ashtu dhe në atë tekniko-taktik, duke qenë një ndihmës i vyer për trajnerin Slishkoviç dhe në fakt për skuadrën në tërësi. Vetë Fortuzi, i kontaktuar nga “Panorama”, theksoi se nuk është më pjesë e bardhebluve pasi trajneri zgjedh stafin e tij të dëshiruar, duke thënë se kjo ishte diçka normale. “Do të mbetem përjetë bardheblu. Kjo është diçka që nuk lëviz. Nuk është se kam ndonjë peng, por unë me Tiranën dhe bluzën e saj jam i lidhur këtu e dy dekada më parë dhe gjithë jetë unë do të jem i kësaj familje të madhe. E respektoj vendimin e klubit, ose të trajnerit të ri dhe nuk jam fare i shqetësuar, përkundrazi, uroj Kolën, mikun tim, për suksese në krye të skuadrës. Besoj se me shpirtin e tij karakteristik do të sjellë diçka pozitive dhe le të shpresojmë se Tirana do të gjejë shumë shpejt rrugën e fitoreve e të suksesit”, - tha Indrit Fortuzi.