Aksidentet marrin jetën e dy personave, një tjetër plagoset
SARANDË/KRUJË – Dy aksidente të ndodhura në Sarandë dhe në Krujë kanë shkaktuar vdekjen e dy personave dhe një tjetër është plagosur rëndë. Burimet zyrtare të policisë raportojnë se aksidentet ndodhën gjatë ditës së djeshme në akset Sarandë-Delvinë dhe Fushë Krujë–Milot. Ngjarja më e rëndë u regjistrua pasditen e së mërkurës në Sarandë, ku një makinë është përplasur me një kamion. Të dhënat zyrtare të Policisë së qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se mjeti tip “Benz”, me targë GJ 4004 A, i cili drejtohej nga Asqeri Cako, lindur dhe banues në komunën Lazarat, u përplas me një kamion me drejtues Emiliano Muratajn. Përplasja ndodhi në hyrje të fshatit Bamatat. Sipas tyre, gjeti vdekjen 33-vjeçari nga Saranda, Endri Merkaj. Policia dyshon se shkak i aksidentit mes dy mjeteve që lëviznin në drejtime të kundërta, besohet të jetë përpjekja për zgjedhje të pjesës së rrugës që përshkonte vetura, në një aks të dëmtuar dhe të lagësht për shkak të rënies së reshjeve të shiut. Për pasojë ka ndodhur përplasja që i mori jetën pasagjerit të veturës. Për të sqaruar deri në fund rrethanat e aksidentit, policia shoqëroi drejtuesin e kamionit, ndërsa dërgoi në spital shoferin e makinës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Pak orë më parë në “autostradën e vdekjes”, pikërisht në rrugën Fushë Krujë-Lezhë, në vendin e quajtur Fushë Mamurras një kamionçinë, e cila drejtohej nga shtetasi Çun Doçi, ka goditur shtetasin Mark Kokën, duke i shkaktuar vdekjen. 47-vjeçari nga Thumana punonte roje nate në fshatin Gjorm dhe po udhëtonte me motoçikletë kur u përplas me kamionçinën. Nga goditja 47-vjeçari Koka ka marrë plagë të rënda, si rezultat i të cilave ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak. Edhe për këtë rast kanë nisur hetimet. Burimet policore shprehen se është shoqëruar në rajonin e Fushë-Krujës shtetasi Çun Doçi, i cili ka sqaruar rrethanat e aksidentit me pasojë vdekje.
30 Tetor 2008