E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Belgjika i dënuari për vrasjen e policit



Tiranë - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, dje rreth orës 20:00, ekstradoi nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë të shumëkërkuarin: Behar Bajri, vjeç 28, nga Shkodra, person me precedentë të theksuar kriminalë. Arrestimi i tij është bërë i mundur më 17 dhjetor 2007 mbas një ndjekje sistematike shumë profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin dhe Policinë Belge. Ministri i Drejtësisë së Belgjikës firmosi ekstradimin e të shumëkërkuarit Behar Bajri më 18 tetor 2008. Shtetasi Behar BAJRI është i njohur si kontingjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës ndër të cilat: Vrasjen me armë zjarri të punonjësit të policisë Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit të tij është dënuar me vetëm dy vjet burgim. Është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Është autori i dyshuar për disa vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës, ndërkohë është arrestuar disa herë nga strukturat e policisë dhe për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i shtetasit Behar Bajri është bërë në lokalitetin Gent/Belgjikë. Ky shtetas përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov, i datëlindjes 25.5.1978.
Mbi precedentët penalë të të shumëkërkuarit Behar Bajri

Më datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë vepër penale shtetasi Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.
Më datë 18.08.2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
Po ashtu ky shtetas është autori i dyshuar i disa krimeve të tjera të rënda dhe konkretisht:
Më datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.
Më datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
Më datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
Më datë 21.03.1999 shtetasi Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj shtetasit Arben Tuzi dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
Më datë 26.06.2002 në banesën e shtetasit Behar Bajri është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është shtetasi Behar Bajri.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›