Zbulohet vjedhja e 2.5 milionë lekëve para 5 vitesh
KORÇË - Zbulohet vjedhja e 2.5 milionë lekëve e ndodhur pesë vjet më parë në një dyqan në Korçë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës në Burgun e sigurisë së zakonshme në Fushë-Krujë është bërë ekzekutimi i vendimit të dënimit me burgim për të dënuarin Arben Leka, 38 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras të rrethit të Kurbinit. Ky person ka qenë i dënuar më parë për “vjedhje”. Për këtë person, Gjykata e Korçës, më datë 10 prill 2008 e ka deklaruar fajtor për veprën penale të “vjedhjes me pasojës të rëndë” me vlerë 2.521.000 lekë. Ai është dënuar me 7 vjet burgim. Më datën 10 janar 2003 ky shtetas ka vjedhur dyqanin “Beauty Shop” me aktivitet argjendari dhe parfumeri që ndodhet në Lagjen Nr. 12, të qytetit të Korçës.
Ndalohen dy të mitur, vodhën kabllon e stacionit të pompave
KRUJË – Dy të mitur janë shoqëruar në mjediset e policisë dhe më pas janë lënë të lirë pasi kanë grabitur kabllon e linjës elektrike që furnizon Stacionin e Pompave të Fushë-Krujës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 14:00, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës në ngarkim të shtetasve: K. L., 16 vjeç, lindur dhe banues në Thumanë dhe A. S., 13 vjeç, lindur dhe banues në Bushnesh të rrethit të Krujës. Në bazë të punës hetimore të kryer nga policia në drejtim të zbardhjes së vjedhjes së kryer në Stacionin e Pompave të Ujit në komunën Thumanë, në të cilin është marrë një sasi kablloje me vlerë të përafërt 10.000 lekë, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre. Vjedhja ka ndodhur 5 ditë më parë, rreth orës 14:30. Në cilësinë e provës materiale u bë bllokimi i sasisë së kabllos së vjedhur.
30 Tetor 2008