E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekut: “Infermieret thyejnë rregulloren për kartelat mjekësore”



Emanuela Sako

Kartelat mjekësore në spitale nuk mbajnë firmën e mjekut, por të infermierëve, ç’ka bie ndesh me rregulloren e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në një pjesë të madhe të rasteve të verifikuara kartelat e pacientëve janë të parregullta në përcaktimin dhe detajimin e sëmundjes së një pacienti dhe në fund nuk mbajnë vulën dhe firmën e mjekut që ka kuruar pacientin. Urdhri i Mjekut bën të ditur se janë verifikuar disa raste, të cilat konstatojnë shkelje nga mjekët, ku kartelat e pacientëve nuk mbajnë firmën e tyre, por të infermierëve. Kjo, sipas specialistëve, bën që të ketë mungesë të përgjegjësisë nga ana e mjekëve dhe mungesë të një materiali të plotë për sëmundjen e pacientëve. Infermierët nuk janë autoriteti përkatës për të vendosur në kartelë kurën që ka marrë pacienti dhe të shpjegojë të detajuar sëmundjen nga e cila vuan një pacient. Kështu, nëse të sëmurit do t’i duhet të kurohet pas disa kohësh, atij mund t’i dalin probleme, pasi sëmundja nga e cila vuan nuk është e përcaktuar saktë. Kartela ruhet me vite në kartotekën e spitalit ku është kuruar pacienti dhe del vetëm në rastet kur është e domosdoshme, me urdhër të Drejtorisë së Spitalit, apo në rastet kur duhet për provë për të kryer verifikime të ndryshme.
Problematika
Në këtë çështje preken të gjithë pacientët, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, apo nga sëmundje të tjera të rënda. Të gjithë këta pacientë, nëse në kartelë sëmundja e tyre nuk është përcaktuar ashtu siç duhet, do t’i kryejnë analizat nga e para dhe për më tepër nuk u jepet mundësia që t’i tregojnë mjekut se nga se kanë vuajtur më parë dhe cila është kura që kanë marrë. Për këtë çështje pacientëve do t’iu duhet të shpenzojnë më shumë para për kryerjen nga e para të analizave dhe keqinformojnë mjekun se nga se kanë vuajtur më parë. Ndërsa mjekët e kanë të domosdoshme që të njihen me sëmundjen e pacientëve, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda dhe nga sëmundjet kronike, që kërkojnë një ndjekje të vazhdueshme të sëmundjes, hap pas hapi. Njëkohësisht kartelat duhet për të kryer verifikimet në rast se një kurë është dhënë gabim dhe pacienti është dëmtuar nga mjekimi i marrë. Po kështu, ajo mund të quhet një provë konkrete dhe zyrtare për ecurinë e shëndetit të pacientit gjatë gjithë jetës së tij.
Rregullorja
Rregullorja e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë parashikon që të dhënat e çdo pacienti për sëmundjet të hidhen në kartelën mjekësore nga mjeku që e ka ndjekur në vazhdimësi kurimin e tij. Kartelat mjekësore janë dokumente që ruajnë në brendësi të gjitha sëmundjet dhe kurat që ka një pacient. Historiku i sëmundjeve dhe përcaktimi i kurave bën që të shmangen një sërë ndërhyrjesh të gabuara te pacientët, pasi mjekët do të njihen në fillim me kartelën mjekësore të çdo pacienti dhe më pas do të vendosin për sëmundjen dhe ndërhyrjet që duhet të bëhet te çdo pacient. Një nismë tjetër e rëndësishme e Ministrisë së Shëndetësisë, që është bërë publike pak kohë më parë, është dhe informatizimi i të dhënave për çdo pacient. Me këtë nismë nënkuptohet që çdo pacient do të ketë mundësinë të gjejë të gjitha të dhënat shëndetësore për të gjitha vitet e jetës së tij, të dokumentuara dhe të ruajtura në kompjuter. Në këtë mënyrë, mjekët thjesht do të klikojnë në emër të pacientit dhe aty do të njihen me të gjitha të dhënat shëndetësore të tij.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›