E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina çon në pranga dy persona, bllokohen 247 gramë drogë



ELBASAN – Vetëm disa ditë pas dështimit të tentativës së një studenteje nga Korça për të kaluar një sasi kokaine drejt Greqisë është regjistruar një tjetër rast i trafikimit të një substance narkotike të ngjashme, por kësaj radhe në Elbasan, ku kanë rënë në pranga dy persona. Burime zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se gjatë organizimit të operacionit të koduar me emrin “Skampa” janë arrestuar shtetasit Dritan Hamolli, lindur në Pogradec dhe banues në Babrru të Tiranës dhe Edmond Memelli, lindur dhe banues në Lagjen nr. 2, në Pogradec. Sipas tyre, gjatë kontrollit të mjetit “Peugeot” me targë TR 5077 P, në pronësi të Dritan Hamollit, u gjet një sasi prej 247 gramësh drogë e llojit kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Burimet policore pohojnë se po hetohet nëse edhe në këtë rast flitet për një tentativë të trafikimit të kokainës drejt Greqisë dhe nëse ky ka lidhje me rastin e trafikimit, ku u arrestua studentja e Mjekësisë, Aurora Liço, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.
Arrestimi
Mbrëmjen e së martës ka mbërritur një informacion i rezervuar për Policinë e Elbasanit nga agjentët e Antidrogës së kryeqytetit. Kaq ka mjaftuar dhe një skuadër ekspertësh ka nisur vëzhgimin e një makine tip “Peugeot”, me targa të Tiranës. Burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se për realizimin e aksionit është përgatitur operacioni i koduar me emrin “Skampa”. Sipas tyre, ky operacion ka përfunduar me arrestimin e shtetasve Dritan Hamolli, 31 vjeç, lindur në Pogradec e banues në Babrru të Tiranës dhe Edmond Memelli, 41 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen nr. 2, në Pogradec. Prangosja e tyre u bë sepse nga kontrolli i bërë në orën e vona të së martës, në automjetin tip “Peugeot”, me targë TR 5077 P, në pronësi të Dritan Hamollit, u gjet një sasi prej 247 gramësh kokaninë. Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, kurse dy personat u shoqëruan në Komisariatin e Elbasanit. Mbi ta rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në bashkëpunim.
Rrjeti
Ende nuk ka të dhëna për vendin e marrjes së drogës dhe destinacionin e saj, ndërkohë që grupi hetimor po merr në pyetje të ndaluarit. Por dyshimet janë hedhur mbi pistën e funksionimit të një linje të re të trafikimit të kokainës nga Tirana në drejtim të Elbasanit dhe më pas në Korçë, për t’u shitur në tregun e shtetit fqinj. Ky dyshim është hedhur për faktin se pak ditë më parë u ndalua në Kapshticë një studente e vitit të dytë të degës së Mjekësisë në Universitetin e Korçës, pasi iu gjet në çantë një sasi prej 630 gramësh drogë e llojit kokainë. Kjo u pasua me arrestimin e dy personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e trafikut të drogës. Ata po tentonin ta kalonin kokainën drejt Greqisë. Çështja në ngarkim të tre personave, lindur dhe banues në Korçë i ka kaluar për hetime Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›