E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet në Tiranë sjellin një person të vdekur dhe 9 të plagosur

Një person ka vdekur dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga aksidentet rrugore gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë. Aksidenti më i rëndë, me një person të vdekur ka ndodhur rreth orës 10:15, kur një mjet ka përplasur këmbësorin Kadri Hysa. Burimet policore shpjeguan se ai ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën në Yrshek, kur është përplasur nga një mjet "Renault", me targë FR 206888, që drejtohej nga Hasan Lika, 69 vjeç. Sipas të dhënave të policisë rrugore, drejtuesi i mjetit është arrestuar, ndërsa 69-vjeçari tjetër ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Ndërsa një aksident i rëndë, por pa viktima ka sjellë bllokimin e autostradës ditën e djeshme. Një kamion ka rrëshqitur dhe është përmbysur në mes të autostradës Durrës-Vorë, duke bllokuar njërin krah të rrugës. Drejtuesi i mjetit është dërguar në spital, ndërkohë që policisë i janë dashur disa orë për të normalizuar trafikun, që ka vazhduar deri në mbrëmje vonë. Veç këtyre dy rasteve, një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën Kavajë-Rrogozhinë. Sipas të dhënave policore, te karburant "Anoil", duke drejtuar mjetin "Renault", me targë TR 55 34 L, Florian Alhasani është përplasur me mjetin "Mercedes Benz", me targë TR 12 18 J, me drejtues Jakup Hoxhën, 60 vjeç, banues në Tiranë. Përplasja ka qenë tejet e fortë dhe për pasojë janë aksidentuar Florian Alhasani, vajza e tij, Damanda Alhasani, e cila është vetëm 2 vjeçe dhe pasagjerja Fate Belul Hoxha, 53 vjeçe, banuese në Gramsh. Megjithatë, të dëmtuarit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë Florian Alhasanin. Policia shtoi se për aksident ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë Albi Çarçiun, 22 vjeç, sepse në orën 09.45, në rrugën "Myslym Shyri", duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR 0038 S, ka aksidentuar këmbësoren Hava Shefqet Xhepa, 53 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Leon Kokën, 28 vjeç, banues në Kamzë, sepse në orën 14.40, në Paskuqan, duke drejtuar motorin "Harli", me targë AK 62389, ka dalë nga rruga e për pasojë, është aksidentuar ai dhe pasagjerja Valbona B., 23 vjeçe. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa aksidenti i fundit i regjistruar nga policia ka ndodhur në aksin rrugor Rinas-Kashar, pikërisht në Bërxullë. Rreth orës 14:40, Ilir I., 37 vjeç, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targa të huaja AZ 172 YG, ka dalë nga rruga dhe për pasojë, është aksidentuar Iliri dhe pasagjeri Artan K., 30 vjeç. Dy të dëmtuarit janë dërguar në spital.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›