E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim faturistit për mashtrim me faturat e energjisë elektrike

Duket se problemet e banorëve për energjinë elektrike nuk kanë të sosur. Pas mungesës së energjisë elektrike dhe pas njoftimit se ajo do të rritet më shumë se 40% vitin e ardhshëm, pasi OSSH ka pasur humbje, kanë plasur problemet edhe me shtimin e faturave për harxhimin e saj. Kështu i ka ndodhur një biznesmeni në Tiranë, i cili ka kallëzuar jo vetëm faturistin që i ka shtuar vlerën e lekëve në faturë më shumë sesa kishte harxhuar, por edhe për OSSH-në. Burimet policore tregojnë se Behar R., 45 vjeç, është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se për muajin korrik e këtej i janë faturuar 29 mijë lekë më tepër nga faturuesi i OSSH-së. Ai ka shpjeguar se kishte kontaktuar me faturuesin, por sipas bisedës së tij jozyrtare, kishte deklaruar se ia kishin dhënë me urdhër, pasi ka goxha humbje. Megjithatë, kjo pjesë nuk është marrë si provë nga oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori, por ka mjaftuar për të nisur një hetim më të gjerë nga seksioni kundër korrupsionit. Më tej, 45-vjeçari ka shpjeguar se i kishin kërkuar edhe para nën dorë për të rregulluar faturat për muajt e tjerë. Sipas të dhënave policore, po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes flagrante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›